Telekomi i Kosovës nis shkarkimet para ristrukturimit
Visar KRASNIQI, RTK
Telekomi i Kosovës pritet të ringjallet në një periudhë të shkurtër dy-tre mujore, në momentin që fillojnë investimet për të cilat tashmë kanë arritur marrëveshje Telekomi me kompaninë Nokia.
Fillimi i mirëmbajtjes, zgjerimit të kapacitetit dhe modernizimit të aseteve.
Shkarkimi i menaxherëve të Telekomit, është bërë për shkak të neglizhencës dhe performancës të dobët në punë. Kështu i ka arsyetuar kryeshefi Bedri Istrefi shkarkimet e fundit në Telekomin e Kosovës. Ai thotë se ky proces nuk ka lidhje me ristrukturimin që duhet të ndodhë në Telekom.
“Unë nuk mund të pres ristrukturimin derisa mund të kem brenda performancës të dobët.... Ata që kanë performancë të dobët nuk do të kem kompromis, ndërsa ata që performojnë mirë do të kenë stimulim edhe në pagë”, tha Bedri Istrefi për RTK-në.
Telekomi gjendet në një fazë kritike të pajisjeve dhe degradimi i shërbimeve është shqetësimi më i madh, të cilin e potencon Istrefi. Por, ai thotë se ka gjetur zgjidhje për këtë.
“Nokia do të siguroj mirëmbajtjen, 90 për qind të pllakës së brendshme dhe një upgrade të sistemit operative. Brenda një periudhe dy-tre mujore do të shihen stabilizimi i shërbimeve që kanë qenë të degraduara”, ka shtuar ai.
Isterfi nuk e thotë saktë nëse do të ketë kërkesa të njëjta për Qeverinë e re, por thotë se Qeveria duhet t'i rri pranë gjithnjë ndërmarrjes.
“Ne kemi kërkesa në vazhdimësi për institucionet e Kosovës, te modernizimi duhet te kemi mbështetje”, ka nënvizuar Istrefi.
Partneriteti i deritashëm me Z-mobile, Istrefi thotë se e ka përfunduar në tërësi. Me 28 nëntor, sipas tij, të gjithë numracioni kalon automatikisht në Telekom.























