Ndërtimtaria, sektori më i rrezikshëm për jetën e punëtorëve
BKT
Lajme

Ndërtimtaria, sektori më i rrezikshëm për jetën e punëtorëve

Majlinda Doda

Numri i aksidenteve në vendin e punës këtë vit ka shënuar rënie, thonë zyrtarë të Inspektoratit të Punës. Sipas kreut të Inspektoratit të Punës, Valon Leci, në periudhën e deritashme të këtij viti në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën nëntë  persona, që është për rreth 50 për qind më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Por të dhënat nga Sindikata e Punëtorëve flasin për numër më të madh të viktimave në vendin e punës.

Siguria dhe shëndeti i punëtorëve në vendet e punës në Kosovë, nuk është e kënaqshme. Zyrtarë nga Inspektorati i Punës thonë për Radio Kosovën se në këtë periudhë të vitit kanë humbur jetën 9 persona. Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Valon Leci, tha se krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër është 50 për qind më i vogël, megjithatë, Leci thotë se sektori më i rrezikshëm konsiderohet ndërtimtaria, por nuk përjashtohen edhe sektorët e tjerë.


“Ndërtimtarinë e kemi në vendin e parë, sepse aty kemi pasur numrin më të madh të vdekjeve. Këtë vit kemi edhe në energjetikë si pasojë e energjisë elektrike por që prapë disa nga to lidhen me ndërtimtarinë, pra, në hapësira punuese ku ka qenë duke u ndërtuar, por që ka qenë shkaktar energjia elektrike”, tha Leci.

 

Por, sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës është më i madh. Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Isuf Azemi, tha për Radio Kosovën se deri tash janë 15 punëtorë që kanë vdekur në vendin e punës, e institucionet përgjegjëse nuk po bëjnë asgjë në këtë drejtim.


“Nuk po bëjnë asgjë as pas rasteve që po ndodhin, sepse këta punëtorë janë kryesisht punëtorë të rasteve sociale, sepse po ta marrësh një rrogë 300 euro dhe të hipësh në katin e shatë a tetë në skele, të bënë me dije se vetëm një rast i tillë është impononin. Është shumë e vërtetë, se në këtë periudhë të vitit, në vendin e punës kanë vdekur 15 persona”, tha Azemi.

 

Niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët kyçë që kanë ndikuar që edhe gjatë këtij viti në Kosovë disa punëtorë të humbin jetën në vendet e tyre të punës. Sipas Ligjit të Punës, punëdhënësi, është i obliguar ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë. Po ashtu, punëdhënësi sipas Ligjit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, ka përgjegjësi që t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për siguri dhe shëndet në punë, duke përfshirë edhe masat parandaluese kundër rreziqeve profesionale. E në Kodin Penal të Republikës së Kosovës janë definuar edhe dënimet për të gjitha shkeljet të cilat rezultojnë me lëndime apo vdekje në vendin e punës.


MË SHUME NGA Lajme