`Karnavalet e Korçës` shpërblehet me `Grand Prix` në `Skupi Festival`
BKT
Kulturë

`Karnavalet e Korçës` shpërblehet me `Grand Prix` në `Skupi Festival`

Komedia “Karnavalet e Korçës” me tekst të Spiro Çomorës dhe regji të Altin Bashës u vlerësua me çmimin “Grand Prix” për shfaqjen më të mirë në “Skupi Festival”.

“Grand Prix”-i ishte dhe çmimi i vetëm në këtë festival, i cili zhvilloi edicionin e 13-të. Kjo vepër interpretohet nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe është mirëpritur dhe në skena të tjera më parë. Juria e festivalit ndërkombëtar të “Skupi Festival” përbëhej nga aktorja Yllka Mujo, kritiku Emin Azemi dhe aktori Borçe Naçev.

Sipas jurisë, komedia “Karnavalet e Korçës” vjen si realizim që vë në pah ridimensionimin konceptual regjisorial, në të cilin dramaturgjia realiste tingëllon e freskët, duke vendosur në një frymë të re realitetin e zvetënuar përmes haresë. “Kemi të bëjmë me një teatër ansambël, që bashkon në mënyrë harmonike të gjitha elementet skenikë (aktrimin, këngën, kostumet, skenografinë). ‘Karnavalet e Korçës’ ka një ritëm mjaft dinamik, që komunikimin me publikun e arrin duke krijuar atmosferë, e cila ishte në funksion të shfaqjes”, shprehet mes të tjerave juria për këtë vepër teatrore.

Rolet në komedi regjisori ua ka besuar aktorëve, si: Luan Jaha, Ilire Vinca, Adem Karaga, Ernest Malazogu, Ylber Bardhi etj. Veprimi zhvillohet në Korçë dhe rrëfehen ngjarjet në mjedisin e këtij qyteti, në vitin 1936. Dyshja Nikollaq dhe Olimbi, çifti i bashkëshortëve që përfaqësojnë tregtarët e vegjël të Korçës është një dyshe sa komike, aq edhe tragjike. Ata janë në një synim të përbashkët: ta martojnë çupën e tyre të vetme Afrovitin, por mendimet i kanë të ndryshme. Në thelb ata janë dy prindër egoistë, të cilët jo vetëm që nuk e ndihmojnë vajzën e tyre, po e vendosin atë në situata qesharake e tragjikomike. Afroviti është pasqyra e prindërve të saj, por nëse ata janë të rrahur nga jeta, ajo shfaqet me gjithë mendjelehtësinë, dashakeqësinë dhe antipatinë e një vajze të moshës së saj.

Spiro Çomora (Korfuz, 31 janar 1918 - Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, gjyqtar, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Fryt i punës disavjeçare janë përmbledhjet poetike "Syfete", "Për njoftim e për veprim", "Maska dhe fytyra" dhe "Skena e prapaskena". 


MË SHUME NGA Kulturë