Profesoresha italiane Anna Comodi mban ligjëratë me studentët e UP-së
Në kuadër të Javë së Kulturës italiane, Ambasada e Italisë në Kosovë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Universitetin e Prishtinës kanë organizuar një ligjëratë me studentët kosovarë që studiojnë gjuhën italiane, e cila kishte për qëllim njoftimin e studentëve me gjuhën italiane përmes teatrit.
Zëvendësambasadori i Italisë në Kosovës, Matteo Corradin tha se përmes kësaj ligjërate është shpjeguar gjuha italiane përmes aktrimit e teatrit. Sipas tij, këto aktivitete po bëhen tani kur në Universitetin e Prishtinës kanë nisur kurset e gjuhës italiane.
Drejtoresha e Institutit Italian Kulturor, Alessanda Bertini Malgarin tha se përmes aktiviteteve të shumta po mundohen të jemi sa më afër publikun që e do gjuhën italiane.
Duke folur rreth aktivitetit të sotëm Malgarin u shpreh se pas 10 ditësh do të organizojnë një event tjetër me rastin e kuzhinës italiane.
Hulumtuesja shkencore në Universitetin e Perugjës, profesoresha Anna Comodi e cila ligjëroi para studentëve të Universitetit të Prishtinës, tha se mësimi i gjuhës italiane është parë më efektiv nëse mësohet përmes teatrit. Sipas saj, studentët e gjuhës italiane në Kosovës ishin entuziastë për këtë metodë të mësim nxënies.
“Viteve të fundit e kemi eksperimentuar mësimdhënien në teatër, sepse kemi zbuluar që mësimdhënia e gjuhën të huaja nëpërmjet fjalës dhe trupit ka efekt më të madh. Duhet të them që Ministria e Punëve të Jashtme këtë vit ka zgjedhur këtë temë e ka menduar si më të frytshme dhe më të duhurën, sepse mësimdhënia e italishtes nëpërmjet teatrit është një metodë alternative që funksionon shumë mirë...Sot mbajtëm mësim njëorëshe me studentët e italishtes që janë të nivelit fillestar dhe kam qenë e befasuar se si ata kanë reaguar ndaj mësimdhënies së italisht nëpërmjet kësaj mënyrë alternative”, tha Comodi.























