Kurti kërkon partneritet strategjik mes Kosovës dhe Francës
Kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, po zhvillon një vizitë në Francë.
“Sot në Paris, takova Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Francës, znj. Marielle de Sarnez. Ajo më uroi për fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit dhe e theksoi dëshirën dhe nevojën që të thellohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Francës dhe Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“I shoqëruar nga ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e falenderova znj. de Sarnez për ndihmën e rëndësishme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, në kohë lufte e paqe, për siguri dhe zhvillim. Nënvizova gatishmërinë e Kosovës për zhvillimin e një partneriteti të ngushtë e strategjik me Francën në fusha me interes reciprok”.
Ai ka thënë se nikoqiren e ka njoftuar edhe për planin për qeverisje pasi ta marrë mandatin.
“Kryetaren de Sarnez e njoftova edhe për zhvillimet në vend dhe rajon si dhe për përgatitjet tona për programin qeverisës që i përgjigjet vullnetit, të drejtave dhe kërkesës së qytetareve për rend e ligj, luftë kundër korrupsionit, zhvillim ekonomik dhe arsim cilësor”.























