Kultivimi i grurit duhet të jetë prioritet shtetëror
Pajtim Çuni
Në mungesë së reshjeve të shiut shumë bujq akoma nuk i kanë mbjellë tokat me grurë. Ekspertët e bujqësisë thonë se bujqit mund të vazhdojnë mbjelljen e grurit edhe pas afatit optimal por duhet të shtohet sasia e farës dhe plehrave.
Në mungesë të reshjeve të shiut, edhe këtë vit, shumë bujq kanë mbetur pa i mbjellë me grurë sipërfaqet e planifikuara. Profesori universitar i bujqësisë, Shukri Fetahu, thotë për Radio Kosovën se reshjet e këtyre ditëve janë në favor të mbjelljes së grurit. Fetahu porositë bujqit që të vazhdojnë me mbjellje, edhe pas afatit optimal, 10 nëntorit.
“Ne jemi në kufijtë e afatit optimal për mbjellje. Megjithëkëtë, në këto rrethana, i rekomandoj fermerëve që të vazhdojnë me mbjelle. Aty ku ka mundësi ta bëjnë një lëvrim së paku sipërfaqësor. Nëse në asnjë rrethanë nuk mund ta bëjë këtë, atëherë le të shkojnë me një punim sipërfaqësor duke përdorur retofrezat dhe vllajat”, tha Fetahu.
Profesor Fetahu jep edhe disa këshilla për fermerët të cilët nga thatësia nuk arritën me kohë t’i mbjellin tokat e tyre me grurë.
“Në rastet që vonohen bujqit me mbjellje, ata duhet të shtojnë sasinë e farës së grurit, për të kompensuar afatin e vonuar. Kështu, nëse bujqit mbjellin 10 apo 15 ditë pas afatit optimal, ata duhet shtuar 10-15% sasinë e farës, në raport me normën që është normale për atë sipërfaqe”, tha ai.
Profesori Fetahu, thotë se kultivimi i grurit duhet të jetë prioritet shtetëror. Sipas tij, subvencionimi i mbjelljes së grurit është hap i mirë, por, që është koha që subvencionimi të bëhet për sasinë e grurit të prodhuar e jo për sipërfaqe.
Në Ministrinë e Bujqësisë kohë më parë i kanë thënë Radio Kosovës se presin që këtë vit, në vend të mbillen nga 70-80 mijë hektarë grurë.























