Çmohet angazhimi në punë vullnetare
Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF sot shënuan Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve me moton “Të bëjmë punë vullnetare për një ardhmëri gjithëpërfshirëse”.
Fillimisht, vullnetarëve të pranishëm iu drejtua Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, e cila tha se vullnetarizmi e mban shoqërinë të bashkuar.
Ajo ka thënë se në Kosovë vullnetarët duhet të bashkëpunojnë me një-tjetrin pavarësisht etnisë dhe zonës gjeografike nga vijnë pasi vetëm kështu mund të bëhen shembull i cili mund të ndiqet edhe nga të tjerët.
Ndërkohë, Blerim Azizi nga Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara tha se ka ardhur koha që të njohim kontributin e të gjithë vullnetarëve të cilët e kanë mision t’i shërbejnë njerëzve.
Ai theksoi se vullnetarizmi mund të promovojë dhe trashëgojë vlerat e të gjithëve pavarësisht gjinisë, moshës e etnisë.
Ndërsa kreu i UNICEF-ut, Murat Sahin, kujtoi kohën kur ai iu kishte bashkuar ekipit të vullnetarëve para 20 vitesh pas një tërmeti në Turqi.
Ai tha se ishte një gjë e jashtëzakonshme të shikoje ekipet e vullnetarëve tani që i dilnin në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti në Shqipëri.
Sipas tij, njerëzit në Ballkan e kanë në gjenet e tyre vullnetarizmin dhe kjo është për t’u vlerësuar.
Duke u ndërlidhur me rezultatet e PISA-s, Sahin tha se nuk është vetëm çështjeve e institucioneve por e gjithë shoqërisë që të edukojë njerëzit.
Në fund janë shprehur falënderim për të gjithë ata individë vullnetmirë që janë angazhuar në punë vullnetare dhe kanë ndihmuar në të gjitha sferat e jetës sociale.























