Ambasada e Zvicrës reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit për Reçakun
Sharr Travel

Ambasada e Zvicrës reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit për Reçakun

"Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak janë kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur”, thuhet në reagimin e ambasadës zvicerane.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka reaguar pas mohimit që i bëri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, masakrës së Reçakut.

Në reagimin e Ambasadës së Zvicrës dhe HLC Kosova, thuhet se është fundamentale që shoqëritë pas konfliktit të pajtohen me të kaluarën.

“Një pjesë e rëndësishme e saj është njohja e viktimave dhe dënimi i krimeve të kryera”, thuhet në reagim. “Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë përkrahin reagimet e fuqishme dhe të qarta kundër deklaratës së bërë nga presidenti Vuçiq që mohoi krimet në Reçak. Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak janë kryer krime masive kundër shqiptarëve, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur”.