Deputetja e AAK-së thirrje Edi Ramës: Mos u tako me Vuçiqin
Sharr Travel

Deputetja e AAK-së thirrje Edi Ramës: Mos u tako me Vuçiqin

Ish-ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj i ka bërë thirrje kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që të bojkotojë takimin e radhës në Durrës, ku do të diskutohet për mini-Shëngenin, e ku është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit mohoi masakrën e Reçakut, duke e konsideruar atë si një trillim.

Reshitaj tha se kryeministri Rama nuk duhet të ulet në një tavolinë me Vuçiq, i cili vazhdon të mohojë krimet e tmerrshme të kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë, pasi një gjë e tillë do të ishte fyerje jo vetëm për familjarët e viktimave dhe shtetin e Kosovës, por edhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve.

“Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit Shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si Kryeministër i shtetit Shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleq, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan.

Pikë së pari, si një bashkëkombëse e Juaja, por edhe si një deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin tuaj të paraparë për 21 dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkojë falje, ai vazhdon t’i mohojë krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vetë si ministër.

I nderuar kryeministër i Shqipërisë, ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektoi për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve”, shkruan Reshitaj në një postim në Facebook.

Më 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës pritet të mbahet takimi i tretë i të ashtuquajturit "mini-Shëngeni ballkanik”, ku marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq u mblodhën më herët në Novi Sad dhe Ohër për të diskutuar për një marrëveshje, që sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.

Kosova nuk është pjesë e këtyre takimeve dhe pjesë e marrëveshjes nuk janë as Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.


MË SHUME NGA Aktuale