SPERTK reagon ndaj ndërhyrjes së Hotit në skemën programore të RTK-së
BKT
Lajme

SPERTK reagon ndaj ndërhyrjes së Hotit në skemën programore të RTK-së

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka reaguar ashpër ndaj tentim-ndërhyrjes në skemën programore të RTK-së të anëtarit të kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti.

Ky i fundit dje nëpërmjet një postimi në Facebook ka kritikuar RTK-në për transmetimin e ndeshjes së Kupës së Botës për klube në futboll në orarin e lajmeve qendrore.

Ja reagimi i plotë i SPERTK-së

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së  e konsideron të papranueshme ndërhyrjen e anëtarit të kryesisë së LDK-së në skemën programore të RTK-së. Është e papranueshme dhe kundërligjore kur një anëtar kryesie tenton të diktojë përmes rrjetit Facebook, se çka duhet e çka jo të transmetojë mediumi publik.

Ia rikujtojmë z.Hoti se RTK nuk e krijon skemën programore sipas diktateve të partive politike, por ashtu siç e vendos stafi profesional dhe bazuar në kërkesa të publikut nga i cili financohet RTK.

SPERTK kërkon nga z. Hoti dhe partia e tij që pas krijimit të institucioneve të angazhohen sa më parë të miratojnë ligjin e ri të RTK-së dhe si partner qeverisës me Vetëvendosjen t’i sigurojnë edhe paratë për ndërtimin e objektit të ri të RTK-së, për shkak se kolegët tanë janë duke punuar ne hapësira të transformuara nga garazhet në studio televizive, ku pas çdo reshje vërshojnë dhe shpërthejnë edhe ujërat e zeza.

SPERTK e konsideron të papranueshme dhe të dënueshme çdo ndërhyrje të cilësdo parti që mundohet ta diktojë punën e stafit të RTK-së dhe njëherësh e konsideron cenim të drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale të RTK.

SPERTK ju bën me dije të gjitha partive politike dhe atyre fituese të zgjedhjeve se menjëherë pas krijimit të institucioneve, nëse nuk e miratojnë ligjin e ri, do të rifillojmë çdo ditë me protesta para Kuvendit të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme