"E papranueshme që njerëzit vazhdojnë të jetojnë në kushte të rrezikshme"
Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve po bëhet thirrje që të ofrohet një zgjidhje e qëndrueshme për të gjithë emigrantët, pasi ata jetojnë në kushte të rrezikshme.
Në 20-vjetorin e misionit IOM në Kosovë, zyrtarja përgjegjëse Alina Mihai tha se nga viti 1999 janë implementuar rreth 600 projekte në adresimin e nevojave të emigrantëve dhe minoriteteve.
Ulrika Richardson nga Zyra e OKB-së në Prishtinë, tha se duhet t’iu afrohet mbështetje emigrantëve, fëmijëve, grave dhe burrave të cilët sipas saj, jetojnë në situata të rrezikshme.
Vladan Vukadinoviq, përfitues i kthimit dhe ri-integrimit të financuar nga BE në programin në Kosovë, tregon se ka vendosur të kthehet në vendin e lindjes.
Duke marrë parasysh numrin e madh të migrantëve në gjithë botën, më 4 dhjetor të vitit 2000, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mori vendim që datën 18 dhjetor ta shpallin ‘Ditë Ndërkombëtare të Migrantëve’.
Po ashtu, Kuvendi miratoi Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre. Në këtë konventë theksohet se migrimi ndërkombëtar është fenomen në rritje dhe mund të japë kontribut pozitiv në zhvillimin e vendeve të origjinës dhe vendeve të destinacionit, me kusht që të mbështetet nga politikat e duhura.























