​Lutfi Haziri: Është çështje ditësh arritja e marrëveshjes me VV-në
BKT
Lajme

​Lutfi Haziri: Është çështje ditësh arritja e marrëveshjes me VV-në

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se i vetmi mospajtim në mes të partisë së tij dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është nëse duhet përmbyllur tash çështja e pozitës së presidentit apo pas një viti.

Ai thotë se deri tash nuk ka pasur një pajtueshmëri për një çështje të tillë, sepse në të kundërtën do të ishte arritur koalicioni.

“Deri tash s’ka pajtueshmëri, sepse me pas do të ishte përmbyllur koalicioni. Ne jemi dakorduar që të mos flasim për diskutimet të brendshme dhe modalitetet teknike”, ka thënë Haziri në T7.

Haziri ka thënë se duhet ditur nëse ky koalicion po bëhet për 1 vjet e gjysmë apo për katër, dhe sipas tij nuk mund të arrihet një marrëveshje me një të panjohur të tij.

“Deri vonë kanë qenë negociatat teknike. Nuk mundesh me hy në koalicion me të panjohurën në një periudhë katër vjeçare. Fundja nëse thuhet, që ky koalicion është vetëm për 1 vjet  e gjysmë, atëherë e dimë kohën, por nëse thuhet që është për 4 vjet, atëherë duhet ditur”, ka thënë Haziri.

I pyetur se si mund t’i kërkohet VV-së pozita e presidentit dhe të mos i tregohet emri, Haziri ka thënë se në këtë pikë vjen në pyetje besueshmëria.

“Këtu është parimi i besimit. Kandidati do të jetë në frymë Kushtetuese. Do të jetë përfaqësues i shumicës, që përfaqëson unitetin e shumicës. Kushtetuta nuk lejon me pas president tjetër. Unë jam për një formulë që në marrëveshje akomodon të dy palët, dhe kur vjen koha palët e harmonizojnë emrin, sepse mundet edhe mos me u harmonizu. Një emër që i jep vendit president dhe që eviton krizën”, ka theksuar ai.

Por ai ka thënë se arritja e marrëveshjes mes LDK-së dhe VV-së është çështje ditësh.

“Është çështje ditësh arritja e marrëveshjes dhe nuk shoh gardh të pakapërcyeshëm”, është shprehur Haziri.

Haziri po ashtu ka deklaruar se nuk beson që VV-ja mund ta prishë koalicionin kur të vie koha e zgjedhjes së Presidentit.

Ndërsa për emrat e përmendur si kandidat për President siç është Murat Jashari dhe Rexhep Qosja, Haziri ka thënë se në bisedimet me VV-në asnjëherë nuk kanë diskutuar për emra të përveçëm.

“LDK-së nuk i është dhënë asnjë emër i përveçëm as i Murat Jasharit e as i Rexhep Qosjes në bisedime”, ka thënë Haziri.


MË SHUME NGA Lajme