Vonesat në krijimin e institucioneve pengojnë shumë procese
BKT
Lajme

Vonesat në krijimin e institucioneve pengojnë shumë procese

Vonesat në krijimin e institucioneve pengojnë shumë procese, e rrjedhimisht ndikojnë edhe në mos liberalizimin e vizave. Kështu vlerësojnë analistët. Por gjithsesi faktor kryesor mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar që është një nga kushtet kryesore që ka kërkuar BE, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm.

Kosovare Gashi, Radio Kosova

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pati premtuar që dhuratë e fundvitit për qytetarët e Kosovës do të jetë liberalizimi i vizave. Ndërsa po i njëjti, ditë më parë njoftoi se liberalizimi nuk do të ndodhë këtë vit, duke fajësuar vonesat në krijimin e institucioneve.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit “EPIK”, Demush Shasha, vlerëson se mos formimi i institucioneve mund të ndikojë, por nuk ka peshë sa mos luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është kërkesë e BE, që ta përmbushë Kosova.

“Substatancialisht çfarë e pengon e pengon fakti që nuk ka rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe nuk ka progres për sa i përket dialogut me Serbinë. Pastaj le të themi që pengesa e gjashtë, shtatë apo e tetë mund të jetë edhe fakti që nuk kemi institucione. Por nuk bën të krijohet mjegull, le të themi që mungesa e rezultateve në luftimin korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është e barabartë me moskrijimin e institucioneve”, theksoi Shasha.

Ndërkaq, analisti politik, Artan Murati, ka thënë për Radio Kosovën se ka qenë e ditur që një kohë se këtë vit nuk do të këtë liberalizim. Fajin për këtë Murati e hedh te qeveria në ikje. Ndërsa mos formimi i institucioneve mund të ndikojë që edhe me tej të shtyhet liberalizimi i vizave.

“Nëse do të duhej të kishte liberalizim të vizave këtë vit, atëherë vendimi është dashur të merret në fund të viti të kaluar apo në fillim të këtij viti. Qeveria në ikje është përgjegjëse ndër të tjera që nuk ka arritur t’ i bindë shtetet evropiane se shtetasit e Kosovës nuk do të paraqesin ndonjë problem për sa i përket lëvizjes së lirë” , tha Murati.

Murati, gjithashtu tha se qeveria në ardhje duhet të punojë më shumë, në mënyrë që Kosova të fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë në BE.

“I mbetet qeverisë në ardhje që të lobojë më shumë te shtetet e Bashkimit Evropian, që vendimi të merret sa më parë, apo të paktën të futet në agjendë të takimit të radhës të Këshillit të Ministrave, kryesimin e të cilit e merr Kroacia në BE, dhe do të jetë një klimë e përshtatshme që edhe të kërkohet liberalizimi i vizave”, theksoi Murati.

Kosova është shteti i vetëm nga Ballkanin Perëndimor që ende nuk i janë liberalizuar vizat. Ndonëse shumica e kritereve tashmë janë plotësuar, sfidë mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.


MË SHUME NGA Lajme