Pacolli: Kosova mbështet sulmet amerikane në Siri dhe Irak
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përkrah sulmet e fundit mbrojtëse ndaj organizatës Kata’ib Hizbollah në Siri dhe Irak, duke i vlerësuar ato si të domosdoshme në çrrënjosjen e terrorit dhe në ndërtimin e paqes në botë.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, tha se ata që janë përgjegjës për dhunë dhe sulme terroriste ndaj civilëve dhe forcave paqësore, duhet të mbahen përgjegjës
“Ne gjithmonë do të rreshtohemi në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë. Kosova është e palëkundur në luftën kundër terrorizmit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ministri Pacolli.
“Republika e Kosovës është gjithashtu pjesë e Aleancës Globale Kundër ISIS, është një anëtare e besueshme e kësaj aleance dhe do të vazhdojë të jetë e vendosur në përmbushjen e obligimeve të veta, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë e institucioneve të saj për luftë të pa-kompromis kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit”.























