Ish-anëtarët e VV: Kurti bën hap për ta bërë një partinë dhe shtetin
Ish-anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje tash anëtarë të Partisë Socialdemokrate kanë komentuar ndryshimin e statutit të VV-së, i cili ia lejon Albin Kurtit që të jetë edhe kryetar i partisë, edhe kryeministër.
Sipas tyre, nëse dëshirohet të njihet kryeministri i ardhshëm dhe pushteti i VV-së në përgjithësi, atëherë një gjë e tillë mund të kuptohet përmes heshtjes së partisë. Ata theksojnë se ekziston mundësia e të bërit një të shtetit dhe të partisë.
Zgjim Hyseni ka shkruar se sipas Kurtit secili mund të korruptohet, mashtrohet, ose lodhet, por vetëm ai jo.
"Heshtja si simptomë
Askush nuk e di çfarë ka ndodhur sot në mbledhjen e Këshillit të VV-se. A e ka ndërruar VV Statutin e Partisë për t'ia mundësuar Kurtit pozitën e Kryetarit të Partisë, duke qenë njëkohësisht Kryeministër, apo jo? Janë mbi 200 delegatë aty. Tamam puna me rrjedhë ndonjë informacion në publik për punët e Partisë. Jo vetëm sot, ka 2 muaj që flitet për këtë punë, por asnjë fjalë nga Partia.
Janë dy mënyra sesi subjektet si VV ndërtojnë marrëdhënien me publikun. Ritualet publike pranuese e vetëkritike ku shohim farsën e harmonisë midis subjektit dhe publikut, dhe heshtja në anën tjetër. Heshtja është vendi i pushtetit. Aty ku pushteti fshihet.
Kurti nuk e ka asnjë nevojë për pozitën formale të Kryetarit, Ai do të jetë udhëheqës i VV- se gjithë jetën, pavarësisht kësaj pozite. Në anën tjetër, kështu ka qenë me gjithë liderët. Edhe Mustafa, Haradinaj e Thaçi mbanin njëkohësisht dy postet. Pse ky ngërq kur emri i Kurtit është njësuar me partinë? Partia sipas ortodoksisë bolshevike është nocioni që garanton kornizat shpjeguese për gjithça: shtetin, shoqërinë, historinë e aktualitetin. Partia është Tjetri i Madh, ajo që na legjitimon gjithçka.
Për udhëheqësin bolshevik që i atribuon vetes detyrën e përfundimit të historisë, asnjë nuk përmbushë dot këtë rol përveç atij. Secili mund të korruptohet, mashtrohet, ose lodhet. Asnjërit nuk i besohet, as Glaukut besnik. Nëse dëshironi ta njihni kryeministrin e ardhshëm dhe pushtetin e VV-së në përgjithësi, shikojeni Partinë. Heshtje", ka shkruar Hyseni.
Sipas Frashër Krasniqit VV ndërron stataute e kushtetuta sipas nevojës së liderit.
"Partia populliste nuk njeh norma ligjore as dokumente kushtetuese. Lideri është suprem. Prandaj statuti e kushtetutat ndërrohen sipas nevojës së kryetarit.
Sot z. Kurti ia ndërroi partisë statutin për ta përjetësuar veten si kryetar. Hapi i parë drejt njësimit të partisë me shtetin", ka shkruar Krasniqi.























