Qalaj: Policia ka arritur rezultate në zvogëlimin e krimeve
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se policia vitin 2019 e ka përmbyllur suksesshëm pasi, sipas tij, edhe pse ka qenë një vit me shumë sfida, rezultatet tregojnë se ka pasur një trend të zvogëlimit të krimeve të të gjitha llojeve.
Ai ka theksuar për "Epokën e rre," se situata e sigurisë në vend është stabile. Sipas tij, nuk ka ndonjë shqetësim që ndikon në sigurinë nacionale të vendit.
"Plicia e Kosovës këtë vit e ka përmbyllur suksesshëm, duke u bazuar në faktin e rezultateve të mira që kemi pasur. Edhe pse ka qenë një vit me shumë sfida, me shumë ngarkesa dhe aktivitete, rezultatet tregojnë se kemi pasur një trend të zvogëlimit të krimeve të të gjitha llojeve dhe kjo është baza e suksesit të Policisë së Kosovës. Kemi pasur sukses edhe në organizimin e brendshëm të disiplinës. Ne jemi duke punuar në shumë dimensione. Mund të them se krahas sukseseve nuk kemi arritur ta shtyjmë ende çështjen e pensionimit të policëve që ka qenë edhe premtim që nga fillimi i mandatit tim. Po ashtu, edhe çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për policët. Sa i përket ligjit për pensionim të parakohshëm, në fakt draftligji ka përfunduar dhe e kemi dërguar në Ministrinë e Financave por, si pasojë dorëheqjes së kryeministrit, procesi u ndal", tha ai.
Sipas tij një nga sukseset e mëdha ka qenë edhe dërgimi në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri të dy gjeneratave, njëra që ka diplomuar dhe gjenerata e dytë që po vazhdon trajnimin.
'Kemi pasur gjeneratat më të mëdha për nga numri që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Mund të them lirisht se janë edhe gjeneratat më të përgatitura qoftë nga aspekti profesional dhe ai fizik. Besoj se diku nga muaji qershor në vitin e ardhshëm do ta dërgojmë edhe gjeneratën tjetër, meqenëse i kemi vendet e zbrazura në Policinë e Kosovës që ta dërgojmë edhe gjeneratën e re. Nëse kemi fat që të kalojë Ligji për pensionim të parakohshëm normalisht se do të rekrutojmë edhe njerëz të rinj për t’i zëvendësuar ata që pensionohen. Besoj se këto tri gjenerata do ta përmbushin nevojën e Policisë së Kosovës për kuadro të reja",tha ai.























