Protestat mjet testimi për demokracinë
BKT
Lajme

Protestat mjet testimi për demokracinë

Tradicionalisht protesta është cilësuar si reagim ndaj pakënaqësive.

Nëse e shikojmë në retrospektivë protestat e viteve 81’ kanë pasur motive atdhetare dhe kërkesë legjitime për të jetuar dhe vepruar të lirë brenda territorit të një shteti. Tash 38 vite më vonë, edhe pse motivet e protestave kanë ndryshuar, ato vazhdojnë të mbesin si mjet kryesor për zgjidhjen e problemeve.

Edhe këtë vit që po e lëmë pas, qytetarët e Kosovës u detyruan që të dilnin në rrugë dhe të ngisnin zërin karshi problemeve të ndryshme, si për rrethanat politike, ashtu edhe për ato ekonomike, shëndetësore, arsim e shumë çështje të tjera.

Për punëtorët teknik të Universitetit të Prishtinës viti 2019, ishte vit shumë i vështirë. Atyre iu është dashur shumë herë të dalin në protesta, ta ngisnin zërin për pagën minimale. Në bazë të protestave që janë organizuar për punëtoret teknik, ato deri diku kanë arritur rezultate, pasi secilit punëtor iu ka dhënë paga që i takon dhe një formë shtesë nga 230 në 250 euro, është një rritje ku Sindikata e Sektorit Privat, në vazhdimësi ka bërë presion te Komuna e Prishtinës. Megjithëse, këta punëtorë kanë marrë rritje 4 përqind,  kërkesat e tyre ishin për pagën minimale 350 euro, kërkesë e cila nuk u realizua dhe i shtyri të dilnin përsëri në protesta.

Edhe për studentët e disa drejtimeve të Universiteteve të Prishtinës, ky vit ishte i mbushur me protesta, e krejt kjo për shkak të vendimit të MASHT-it, i cili nuk i ka përfshirë të gjitha fakultetet në bursa. Dy ishin kërkesat e këtyre protestuesve, të ketë gjithëpërfshirje në bursa ose të anulohet komplet konkursi, në një farë mënyre këto pakënaqësi të studenteve u zgjidhen, pasi ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi e anuloi konkursin për bursa të këtij dikasteri për vitin akademik 2019/20.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të pagave deri në mars të vitit 2020, bëri që shumë institucione të reagojnë, të futen në grevë dhe të protestojë. Disa kërkonin fuqizimin e ligjit e disa kërkonin të mos përfshihen në ketë ligj.

Në grevë u futën mësimdhënësit dhe mantelbardhët me kërkesën që ligji të hynte sa më parë në fuqi dhe të zbatohej. Kurse, protesta kishte nga KEK dhe SINKON, por këta të fundit kërkonin të mos përfshiheshin në ligjin e pagave, sepse pagat e tyre zvogëloheshin deri në 50 përqind. Por që ky problem nuk u zgjidh për asnjërën palë dhe mbeti për vitin 2020.

Protesta u mbajtën edhe për ndotjen e ajrit, rastin e Drenasit, kundër Aleksander Lumezit, LGBT, për të drejtat e punëtorëve, e për shumë çështje të tjera.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës, protestën e sheh si zgjidhje të problemeve dhe si një formë për ta nxjerr nga gjumi punëdhënësin që ta edukojë se punëtorët kanë të drejtë ta ngrisin zërin kur është fjala për padrejtësitë që i bëhen.

“Në vendin tonë me këto dukuri të cilat janë duke i bërë udhëheqësit tanë, tani për tani po thuajse në pjesën dërrmuese, vetëm protesta dhe greva është ajo e cila arrin deri te rezultatet. Kemi protestuar dikun mbi 130 protesta po thuajse gati çdo të treten ditë kemi pas protesta nëpër kompanitë e ndryshme dhe diku janë mbi 70 përqind që kërkesat tona janë realizuar, ndoshta jo në shkallen të cilën ne e kemi dëshiruar por megjithatë kemi arritur rezultate të cilat me të vërtet ndoshta vetëm ëndërr kemi mujt me i pa”, tha Azemi.

Azemi ka një mesazh për të gjithë ata punëtorë që ngurojnë të dalin në protesta për t’i kërkuar të drejtat e tyre. Sipas tij, ato të drejta të cilat ligji dhe Kushtetuta e Kosovës ia ka mundësuar punëtorëve, ata duhet të ngrisin zërin dhe t’i kërkojnë, çoftë me protesta, çoftë me greva, sepse punëdhënësi nuk e qan kokën për të drejtat e tyre.

Të jesh pro testimit të kësaj demokracie duke ngritur zërin në protesta është një hap, një tentative për të mos përqafuar problemin. E qytetarët po shihet se janë pro ngritjes së zërit kur atyre i cenohen ose shkelen të drejtat.

Hysen Xheravina nga Gjakova, tha se protestat shërbejnë për ta kundërshtuar një vendim politik ose një pakënaqësi tjetër që lidhet me ne.

Xheravina tha se ka qenë pjesëmarrës në protesta të Vetëvendosjes kur kanë kundërshtuar Qeverinë.

“Gjithkund në botë, nëpërmes protestave kur kundërshtojnë politiken, bëjnë protesta apo për gjëra të tjera, kur politika nuk i përgjigjet popullit, populli përgjigjet mandej me anë të protestave. Kam dal kur Vetëvendosja ka kundërshtuar, edhe unë i kam përkrah, na e kemi shpreh atë mendimin tonë, qëndrimin tonë po ne nuk mundemi me ndërru qeverinë me dhunë po e shprehim atë çka mendojmë dhe duam”, tha Xheravina.

Sofie Veseli, doktoreshë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në ‘Kodrën e Trimave’, tha për KosovaPress, se protestat janë të nevojshme që populli t’i shfaq pakënaqësitë e veta apo kërkesat që i ka për një çështje të caktuar. Ajo tha se ka qenë në grevë një ditë tetë orë, për arsye të pezullimit të Ligjit për Paga. Sipas saj,  nëpërmjet protestës mund të zgjidhen shumë çështje.

“Pakënaqësitë e veta populli i shfaq përmes kërkesave, protestave, përmes grevave, me siguri që është edhe ajo një formë e shfaqjes së pakënaqësisë edhe plotësimit të kërkesës. Unë punoj, jam doktorësh, punoj në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër dy, në Kodrën e Trimave, kemi pas grevë një ditë, kemi protestu tetë orë”, tha Veseli.

E Sadik Berisha mendon se shteti i Kosovës nuk është i edukuar për protesta. Sipas tij, populli ynë qëndron i heshtur dhe nuk proteston aty ku i shkelen të drejtat.

“Ne në Kosovë nuk jemi të edukuar për me mbajt protesta, nuk janë të mësuara gjeneratat me i shfrytëzu të drejtat e tyre, protesta zgjidh problem. Gjithmonë aty ku shkelet e drejta duhet me protestu. Vendet e civilizuara të cilat e dinë të drejtën e tyre dhe e kërkojnë, i edukojnë gjeneratat me i kërkuar të drejtën edhe me protestë jo me heshtë, këtu populli është mësuar me heshtë, me heshtë dhe unë nuk pajtohem me heshtje”, tha Berisha.

Ali Pireva, qytetar i Prishtinës, kujton të vetmen herë që ka dalë në protesta, të cilat kanë qenë kundër regjimit serb. Sipas tij, atëherë ka qenë e nevojshme dalja në protesta për ta kundërshtuar atë regjim barbarë. Pireva tha se nuk ka më nevojë të dilet tani në protesta, vetëm duhet të punojnë  pasi me punë arrihet gjithçka.

“Përmes protestave kurrë nuk janë zgjidhur problemet, po problemet zgjidhen me punë. Kam dal në protesta kundër Serbisë që ka bërë “zullum”, në Kosovë, a protesta për me lypë me ma rrit rrogën, kurrë nuk jam dal, as nuk dal, as nuk duhet me dal. Duhet me punu, rezultatet që i kanë kallxu këta në arsim, turp duhet me iu ardhë, jemi ma të dobëtit në vlerësim të shkollimit, veç edhe tri shtete janë më dobët se ne, turp, nuk ka nevojë me dal në protesta, po duhet me ia nis punës me punu”,tha Pireva.

Përndryshe, gjatë vitit që lamë pas më së shumti kanë protestuar punëtorët teknik. 


MË SHUME NGA Lajme