Veseli: Kombi ynë është krenar që ndihmoi hebrenjtë

Veseli: Kombi ynë është krenar që ndihmoi hebrenjtë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar sot ditën e Holokaustit, duke kujtuar vdekjen e gjshtë milionë qytetarëve hebrenj.

Veseli ka shkruar në faqen e tij në Facebook se shqiptarët janë krenarë me shembullin fisnik të kombit tonë, i cili në momentet më të rënda të kësaj tragjedie njerëzore, si pak të tjerë u vendos në anën e drejtë dhe të duhur të historisë, duke ofruar strehë e mikëpritje për hebrenjtë e persekutuar anembanë Evropës.

Statusi i plotë i Kadri Veselit:

Sot shënojmë Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe bëjmë homazh për gjashtë milion fëmijë, pleq, gra e burra hebrenj, si dhe për të gjithë viktimat e tjera të vrarë në mënyrë mizore gjatë Holokaustit. Ne sot jemi krenar me shembullin fisnik të kombit tonë, i cili në momentet më të rënda të kësaj tragjedie njerëzore, si pak të tjerë u vendos në anën e drejtë dhe të duhur të historisë, duke ofruar strehë e mikëpritje për hebrenjtë e persekutuar anembanë Evropës.

Këtë përvjetor e bën edhe më domethënës, fakti që vetëm para pak ditësh, familja Sharri nga Prizreni, u nderua nga shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me certifikatën e nderit dhe dekoratën e “Të Drejtëve ndër Kombe” për strehimin dhe shpëtimin e një familje hebreje.

Po ashtu duhet thënë se pak popuj të tjerë mund ti kuptojnë me dhembshuri aq mirë sa ne vuajtjet dhe pasojat e krimeve të përbindshme të kryera ndaj popullit hebre sepse edhe populli shqiptar i ka ende të freskëta në kurriz pasojat e gjenocidit dhe pastrimit etnik. Prandaj, kjo ditë, duhet të shërbejë për të reflektuar mbi tmerret e së kaluarës por edhe për të dënuar, sot e gjithmonë, çdo formë dhune apo urrejtje që bazohet në racizëm, anti-semitizëm apo çdo lloj paragjykimi për përkatësi personale.