Haradinaj vizitoi policin e lënduar gjatë aksionit antidrogë në Zhur
BKT
Lajme

Haradinaj vizitoi policin e lënduar gjatë aksionit antidrogë në Zhur

(E plotësuar) Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot policin Artur Mrasori, i lënduar gjatë aksionit antidrogë në Zhur të Prizrenit.

“Dje gjatë një aksioni policor ka humbur jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe vërtetë është një lajm i dhimbshëm, i vështirë, në radhë të parë për familjen, por edhe për kolegët e punës dhe të gjithë ne. Janë edhe dy kolegë të tjerë të Policisë të lënduar, njëri është në trajtim dhe për fat të mirë nuk është në rrezik për jetën”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke falënderuar gjithë stafin e Repartit Intensiv për kujdesin.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se gjatë ditës ka vizituar edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku është pritur nga drejtori Rashit Qalaj dhe tani në repart për ta përcjellë gjendjen me kujdes dhe në çfarëdo rrethana do të jenë së bashku për të shpëtuar policët e lënduar, derisa u ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.

I pyetur për sigurimet shëndetësore, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se kërkesa e Policisë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm janë kërkesa  të drejta.

“Ato janë në proces, por tani nuk mund të dërgojmë Ligje në Parlament. Jemi në pritje të formimit të qeverisë për t’i dërguar ato dhe kjo do të ndodhë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se gjatë këtyre dy vjetëve kanë qenë më afër policisë me kujdes buxhetor dhe përkrahje që nuk ka ndodhur ndonjëherë, por theksoi se të dy ligjet janë të domosdoshme dhe duhet të realizohen.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se sot do të merret vendimi që policëve të rënë në detyrë krahas pensionit që marrin, familjes të secilit policë të rënë në detyrë gjatë gjithë kohës t’i shtohet edhe një shumë e respektuar. 

Ndërsa, sa i përket shërimit të policëve të lënduar, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se nëse ka nevojë për shërim jashtë vendit, Qeveria do t’iu ofrojë ndihmë.


MË SHUME NGA Lajme