Me muzikën e Beethovenit Filarmonia shënon 20-vjetorin e themelimit
BKT
Kulturë

Me muzikën e Beethovenit Filarmonia shënon 20-vjetorin e themelimit

Me një varg koncertesh pritet që Filarmonia e Kosovës të shënojë sivjet 20-vjetorin e themelimit. Të premten ky institucion ka mbajtur një konferencë për medie në lidhje me koncertin e muajit shkurt, i cili do të mbahet në kuadër të këtij përvjetori të veçantë.

Të pranishëm në konferencë ishin dirigjenti dhe violinisti Maxim Vengerov (fitues i çmimit “Grammy 2003”), solistët Ozcan Ulucan (violinë), Laszo Fenyo (violonçel) dhe Birsen Ulucan (piano) dhe drejtori i Filarmonisë së Kosovës Baki Jashari.  Drejtori i Filarmonisë së Kosovës njoftoi se më 2 shkurt, në orën 20:00, do të mbahet koncerti me muzikën e Beethovenit.

Ky koncert shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e Filarmonisë së Kosovës. Me këtë koncert Filarmonia e Kosovës shënon edhe 250-vjetorin e lindjes së kompozitorit gjenial L. V. Beethoven. Koncerti i parë i këtij viti do të drejtohet nga maestro Maxim Vengerov, i cili ndryshe njihet si violinisti më i shquar i shek. XXI. Në vitin 1997 Vengerov u bë muzikanti i parë klasik, që u emërua Ambasador i Vullnetit të Mirë nga UNICEF-i.

Në Prishtinën e pasluftës në vitin 1999 ai dha një master-klasë në Fakultetin e Arteve - Dega e Muzikës në Prishtinë dhe vizitoi kampe e një shkollë të integruar me fëmijë shqiptarë dhe serbë. 20 vjet pas ai kthehet në Kosovë për të drejtuar Orkestrën e Filarmonisë së vendit.

Jashari mes tjerash tha se ndihet krenar që në këtë vit jubilar i pranishëm do të jetë edhe dirigjenti e violinisti më i shquar i kohës dhe një nga dirigjentët më të dalluar që ka njohur historia e muzikës në botë, mjeshtri Maxim Vengerov. “Filarmonia fillon 20-vjetorin e saj me koncertin e parë, i cili do të mbahet më 2 shkurt, në orën 20:00. Programi është përqendruar në veprat e njohura të kompozitorit Beethoven. Kemi fatin dhe privilegjin që ta kemi Vengerovin në Kosovë”, tha ai.

Dirigjenti e violinisti Maxim Vengerov ka kujtuar kohën kur ka qenë në Kosovë. Siç tha ai, se kuptoi se vendi ka entuziazëm për muzikë.“Jam i lumtur që jam në Kosovë. Faleminderit Filarmonisë që po e mbështet këtë koncert. Gjëja më e mirë është e organizata e fëmijëve UNICEF kur unë kam qenë ambasador në vitin 1999 dhe kam ardhur për të ndihmuar këtu. Por interesante ishte kur erdha dhe pashë fëmijë serbë dhe shqiptarë duke luajtur futboll. Flisnin të gjithë ndryshe, por pashë se muzikën e ndiejnë njësoj. Kam kujtime të mira në Kosovë. Njerëz të mrekullueshëm, të dashur”, u shpreh ai.

Violonçeli nga Hungaria Laszlo Fenyo, potencoi se do të jetë një organizim i mrekullueshëm. Sipas tij, e gjithë kjo pasi vendi dhe kultura e bëjnë këtë. “Është një organizim fantastik, nuk është vetëm ky rast, por është e rëndësishme se ky vend dhe kjo kulturë është e mrekullueshme. Ju meritoni më shumë. Është hera e parë në Kosovë dhe po e shijoj vendin”, tha ai.

Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Biletat (falas) për koncertin mund të tërhiqen nga dita e mërkurë, nga ora 10:00 – 16:00 (29.01.2020), në objektin e Filarmonisë së Kosovës. Filarmonia e Kosovës është institucioni më i lartë i muzikës klasike në Republikën e Kosovës. Brenda saj funksionojnë dy njësi, Orkestra Simfonike dhe Kori i Filarmonisë, të cilat së bashku numërojnë rreth 120 anëtarë. Brenda një sezoni koncertal Filarmonia e Kosovës realizon mbi 30 koncerte dhe aktivitete. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës u themelua pas luftës së fundit në Kosovë në vitin 2000 me iniciativë të disa muziktarëve të dalluar kosovarë. Fillimisht si Ansambël Harkor e më vonë Orkestër Kamerale, Filarmonia e Kosovës paraqet pa dyshim vazhdimësinë e punës së ish-Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës (e themeluar më 1975-n), veprimtaria e së cilës u shua me dhunë nga regjimi serb në vitin 1990. Pas konsolidimit të institucioneve shtetërore të Kosovës, Filarmonia e Kosovës kalon në përkujdesje të Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit të Republikës së Kosovës. Kori i Filarmonisë së Kosovës është ansambël profesionist me 50 anëtarë, i cili paraqet vazhdimësinë e punës së Korit Profesional të Radiotelevizionit të Prishtinës, i cili zhvilloi veprimtarinë e tij në vitet 1980 - 1990 nën drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi. Repertori i Korit të Filarmonisë së Kosovës përfshin vepra të epokave të ndryshme stilistike nga renesanca e deri te veprat e kompozitorëve të muzikës bashkëkohore. Zëri


MË SHUME NGA Kulturë