Dialogu Kosovë-Serbi, një nga temat që diskutuan Rama e Pompeo
BKT
Lajme

Dialogu Kosovë-Serbi, një nga temat që diskutuan Rama e Pompeo

Dialogu Kosovë - Serbi ka qenë njëra prej pikave që janë diskutuar në takimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Rama ka thënë në një postim në Facebook se Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë - Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka shkruar ai. 

Ndërsa sipas zëdhënëses Morgan Ortagus, Sekretari Pompeo dhe Kryeministri Rama diskutuan mbi përparësitë e përbashkëta gjatë kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Sekretari Pompeo theksoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe përpjekjeve të tanishme për reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.

Sekretari Pompeo gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për kontributin në aleancën e NATO-s, për kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit dhe për rolin udhëheqës në rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G.


MË SHUME NGA Lajme