Shaqir Foniqi për Nexhmije Pagarushën: “Zonjë e madhe, e papërsëritshme”
Mbretëresha e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, ndërroi jetë sot në moshën 86 vjeçare.
Opusi i këngëve të saj ishte shumë i gjerë pasi ajo shkëlqente në të gjitha zhanret.
Vdekjen e artistes rëndë e përjetoi edhe publicisti Shaqir Foniqi, i cili ia kishte kushtuar një libër jetës dhe veprës së saj.
”Një lajm i trishtë, i rëndë”.
”Besoj se jo vetëm unë, por e gjithë shqiptaria duhet ta kanë përjetuar rëndë, sepse ajo ishte e papërsëritshme”.
Si e kujton ai Nexhmije Pagarushën?
”Nexhmijen e kujtoj si një zonjë modeste, shpirtbardhë dhe shumë të drejtë”.
”Ajo e kishte qëndrimin e vet dhe ua thoshte njerëzve në sy për atë që mendonte. Pra, ishte e madhe dhe jolajkatare!”.
Foniqi thotë për Klan Kosovën se ndihet i nderuar që është autori i parë që shkroi monografi për këngëtaren.
”Është mëse e vërtetë se jam i pari autor që kam shkruar një Monografi për të, ‘Nexhmije Pagarusha, Bilbili i Kosovës‘. Jam i nderuar dhe i privilegjuar për këtë”.
Foniqi tregon se si kishte arritur ta bindte që t’i shkruante monografi.
”Ishte modeste dhe me thoshte: ‘Nuk kam bërë asgjë, lëre’, por arrita ta bind dhe, më vonë me thoshte: ‘As vet nuk e di si me ke bindë që të më shkruash Monografi”.
”Ky libër ka pasur edhe një ribotim në Tiranë, nga shtëpia botuese Toena”.
























