Ndërhyrje politike në Agjencinë e Akreditimit
Valbona Tahiri
Ish-Kryeministri Haradinaj dhe Ambasada Gjermane ndërhyjnë në AKA, shkak kolegjet private.
Përveç politikës kësaj radhe në punë e Agjencisë së Akreditmit ka ndërhyrë edhe ambasada gjermane. Mollë sherri për këtë u bë kolegji “Heimerer”. E tërë kjo situatë ka bërë që anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë të ndahen në dy grupe, ata që mbrojnë ligjet e arsimit të lartë dhe në shkeljen e tyre.
Ndonëse vetëm pak ditë para dorëzimit të detyrës së kryeministrit, Ramush Haradinaj ka përdorur autoritetin e tij duke ndërhyrë në Këshillin Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së Akreditimi. Në një vendim të cilin e ka siguruar RTK, ish kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga kreu i KSHC-së, Gazmend Luboteni që të mos ketë burokraci në procesin e akreditimit dhe ri/akreditimit të kolegjeve private.
“Kam pranuar disa ankesa legjitime që lidhen me nyjet administrative dhe burokratike që kjo agjenci gjatë procesit të akreditimit dhe ri/akreditimit. E kuptojë dhe ju inkurajoj që të ruani misionin tuaj por kërkoj që të keni kujdes të veçantë në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet, të cilat janë legjitime dhe ligjore”.
RTK nga burimet e saj brenda Agjencisë së Akreditimit ka siguruar se tendenca për ndërhyrje në këtë proces nga ish-kryeministri Haradinaj kishte të bënte më kolegjin privat “Heimerer”. Kjo u dëshmua edhe me letrën e dërguar më 26 shtator 2019 nga Ambasadori Gjerman, Christian Heldt në drejtim të Agjenicsë së Akreditimit, të cilën e ka siguruar televizioni. Aty thuhet se:
“Ne vazhdojmë të tregojmë interes që procedura e akreditimit të vazhdojë dhe që Agjencia t'i shoh të gjitha mundësitë të bazuara në ligjet e arsimit të lartë që ta shtyjë përpara programin e kolegjit “Heimerer”, për këtë vit akademik”.
Pas letrës së ambasadorit Heldt, kolegji “Heimerer” një ditë më vonë më 27 shtator 2019, dërgon aplikacionin për ri/akreditimin e programeve të tij.
Pavarësisht kërkesës së ambasadorit gjerman, që programet e këtij kolegji privat të akreditohen për vitin akademik 2019/2020, në bazë të ligjeve pozitive për arsimin e lartë në Kosovë, një gjë e tillë është e pamundur.
Në udhëzimin administrativ 15/2018 për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, në nenin 11, pika 2 thuhet se:
“Aplikacionet për akreditimit duhet të dorëzohen në Agjenci më së largu deri më 31 tetor, në mënyrë që atyre t'iu garantohet akreditimit për vitin e ardhshëm akademik”.
Por drejtues të kolegjit privat “Heimerer” në përgjigjen e tyre me shkrim për RTK e pranojnë se aplikacionet në Agjencinë e Akreditimit i kanë dërguar më 27 shtator të 2019-s, për ri/akreditimin e programeve për vitin 2019/2020, ndonëse në përgjigjjen e tyre thonë se presin që nga viti 2018 për ri/akreditimin e këtyre programeve.
“Kolegji “Heimerer” në tetor të vitit 2018 ka aplikuar për riakreditim të programeve, por edhe pas më shumë se një viti ende nuk kemi marrë përgjigje për aplikimin tonë. Pas mjegullës së krijuar, në një takim sqarues me drejtues të Agjencisë së Akreditimit, ne u udhëzuam që të riaplikojmë për disa programe për vitin e njëjtë akademik, siç bëm edhe më 2018. Aplikimin e kemi dorëzuar zyrtarisht më 27 shtator 2019”.
Për gjithë këtë çështje RTK ka kërkuar sqarim edhe nga ambasada gjerman. Ajo e pranon që janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës për t'u siguruar se procesi i akreditimit është transparent. Në përgjigjen e tyre thuhet se:
“Ambasada gjermane ka interes të përbashkët me partnerët ndërkombëtar për vlerësime dhe vendime të pavarura të Agjencisë së Akreditimit duke u bazuar në ligjet pozitive të arsimit të lartë në Kosovë, që synojnë standardet evropiane”
Ndërhyrjet e tilla politike në Agjencinë e Akreditimit kanë qenë të shpeshta. Si pasojë e tyre institucionet e arsimit të lartë në Kosovë janë përjashtuar nga organizatat ndërkombëtare të arsimit ENQA dhe EQAR.























