​Miratohet zgjatja buxhetore për muajin mars
Sharr Travel

​Miratohet zgjatja buxhetore për muajin mars

Me 100 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar kërkesën e qeverisë për zgjatje buxhetore për muajin mars.

Ministri i Financave dhe Transfere, Besnik Bislimi e ka paraqitur para deputetëve kërkesën për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars të këtij viti me qëllim të që kryehen obligimet deri në miratimin e ligjit të buxhetit për vitit 2020.

“Paraqes kërkesën dhe rekomandimin për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars të vitit 2020 në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e kryerjes së obligimeve deri në miratimin e ligjit të buxhetit për këtë vit”, shprehu Bislimi.

Kërkesën që të futet si pikë e rendit të ditës në këtë seancë plenare të Kuvendit të Kosovës e ka paraqitur shefi i Grupit Parlamentar t ë Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Kërkoi një mocion procedural për shqyrtimin e vendimit të projekt vendimit të qeverisë me numër 04/02/ të datës 12.02. 2020 për zgjatjen buxhetore për muajin mars 2020. E dimë që për miratimin e këtij propozim vendimi kërkohet votimi për shmangie në afatet procedurale të parapara me nenin 15 paragrafi shtatë dhe neni 56 të rregullores së punës së Kuvendit. Për shqyrtimin e këtij vendimi kërkohet pra deklarimi me votim për shmangie nga afatet procedurale të parapara me rregullore”, tha ai.

Përkrahje për këtë propozim ofroi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku këtë dakordim e deklaroi shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi.

“ Grupi parlamentar i LDK-së e përkrah propozimin e e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për vazhdimin buxhetor për një muaj për këtë çështje”, tha ai.

Me futjen si pikë të rendit të ditës të projekt vendimit të qeverisë për zgjatjen buxhetore u pajtuan edhe partitë opozitare.

Shefi i grupit parlamnetar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza tha se duke parë rëndësinë e këtij vendimi do votojnë pro.

“Bazuar në rëndësinë e vendimit për të cilin po diksutojmë sepse në mungesë të këtij vendimi sigurisht se edhe të punësuarit që realizojnë pagat përmes buxhetit të Kosovës do mbesin pa paga, edhe pensionistët nuk mund t’i marrin pensionet e tyre edhe do ketë edhe vështi rësi të tjera edhe pse vonesat në krijimin e institucioneve totalisht të paarsyeshme kanë krijuar dëme në vend, PDK bazuar në rëndësinë e vendimit do ta mbështes dhe do votoj”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ndonëse tha se nuk pajtohet me buxhetin e paralajmëruar për vitin 2020, tha se zgjatjen e ndarjes buxhetore do e votojnë si AAK.

“Ne nuk jemi dakord me buxhetin siç e kanë paralajmëruar, por gjithsesi do ta japim votën pro vazhdimit për një muaj të projektbuxhetit”, tha Haradinaj.

Edhe grupi parlamentar, Nisma-AKR e ka mbështetur propozimin për zgjatjen buxhetore për muajin mars 2020.