Filmi “Delegacioni” mirëpritet nga artdashësit durrsakë

Filmi “Delegacioni” mirëpritet nga artdashësit durrsakë

Filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe me skenar të Artan Minarollit, u mirëprit mbrëmjen e djeshme në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.

Shfaqja e filmit u organizua nga Shtëpia e Evropës, këndi i Bashkimit Evropian dhe bashkia e Durrësit.

Kryetari në detyrë në bashkinë e Durrësit, Zhuljen Varfi, tha se “kujtuam dhe nderuam gjithashtu ata që nuk janë mes nesh Xhodën, siç e njohim Xhevdet Ferrin, aktorin që sot simbolikisht iu kthye vendlindjes me rolin e tij të fundit, dhe kineastin e njohur Artan Minarollin. Do të kishim dashur që Xhoda dhe Tani të ishin në këtë premierë e të flisnin për filmin. Por artistët kanë fatin e madh që edhe kur largohen të jenë sërish mes njerëzve me veprën që lënë. Me këtë shfaqje Xhoda sonte i erdhi Durrësit e po ashtu edhe kineasti Artan Minarolli. Të dy tashmë i takojnë qiellit, por filmat e tyre i takojnë publikut”.

“Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të të ndjerit Artan Minarolli, ka arritur të fitojë çmimin e madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimin si “Filmi më i mirë i gjatë” në Festivalin e Triestes. Gjithashtu ishte filmi i përzgjedhur nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS.

Në këtë film aktori i madh Xhevdet Ferri ka luajtur rolin e tij të fundit. Filmi “Delegacioni” është shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A. Aktorët që luajnë janë: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Ferri, Kasem Hoxha, Richard Sammel, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Tristan Halilaj, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Lulzim Zeqja, Selman Lokaj, Armando Dauti etj.

Ngjarjet në film zhvillohen në tetor të vitit 1990. Regjimi komunist kërkon të mbajë pushtetin, ndërsa në Tiranë vjen një delegacion europian për të parë nga afër mbarëvajtjen e reformave të qeverisë.

Leo, i dënuar me 15 vite burg, është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për pushtetin e kohës, sepse delegacioni udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos. Ai duhet të bind delegacionin se çdo gjë është në rregull, por ngjarjet marrin tjetër rrjedhë./atsh/