Flamuri i Kosovës ngrihet në qendër të Melburnit
BKT
Lajme

Flamuri i Kosovës ngrihet në qendër të Melburnit

Edhe në Australi u kremtua 12-të vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Mbrëmje festive u mbajtën në Melburn, Sidnej, Perth dhe një piknik u organizua në Adelajde.

Në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme u ngrit flamuri i Kosovës në qendër të qytetit. Flamurin e ngriti ambasadori i Republikës së Kosovës në Australi, Dr. Hajdin Abazi. Ambasadori me këtë rast veçoi rëndësinë që ka 17 Shkurti:

“Kjo nuk është vetëm një festë e Kosovës por është e çdo shqiptari, pavarësisht se nga vjen. Për ta fituar Pavarësinë, në Kosovë një shekull është derdhur gjak. Secili e ka meritën e vet dhe kjo është një fitore e kombit”, ka thënë ambasadori Abazi.

Dhjetëra bashkatdhetar erdhën në ceremoninë e ngritjes e flamurit.  Kontributi i Australisë në ndihmë Kosovës gjatë luftës i kapërcen kufijtë e zakonshëm. Australia i ofroi strehim 4 mijë të zhvendosurve nga Kosova, 1 mijë prej tyre sot e quajnë Australinë shtëpi të tyre.

Flamuri i Kosovës do të qëndrojë të valojë sot përballë atij australian në sheshin e Federatës ku parakalojnë çdo ditë me qindra mijëra vetë.
Ngritja e flamurit njëherësh flet qartë për miqësinë që kanë dy vendet. Australia ishte një ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme