Alen Xhafa: Arti do përsosmëri, këmbëngulje dhe orë të tëra përgatitjeje

Alen Xhafa: Arti do përsosmëri, këmbëngulje dhe orë të tëra përgatitjeje

Alen Xhafa është aktor, skenarist; ai këndon, kërcen, luan në piano, në kitarë, njeh mirë artin e argëtimit. Aktualisht jeton në Toronto të Kanadasë. Në këtë qytet artisti shumëdimensional u vendos menjëherë pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në degën e aktrimit në Universitetin e Jorkut.

Ishte vetëm katër vjeç kur u largua nga Shqipëria drejt Italisë por, edhe pse i ikur kaq i vogël, "vendi i shqiponjave" siç ai e quan vendlindjen, fle ende në zemrën e tij.

Nuk kanë kaluar pak javë nga shfaqja me titull "Thesaret e zemrës" ku Aleni ishte skenarist dhe njëherazi edhe aktor në skenë. Kjo shfaqje u mbajt në Teatrin "Quirino", Vittorio Gasman në Romë më 14 dhjetor 2019 dhe bashkoi në të njëjtën skenë balerinë, aktorë, një violiniste dhe dy pianistë. Shfaqja mori një vëmendje mediatike si në Itali, po ashtu edhe për publikun në Shqipëri. Revista e kritikës muzikore "OPUSALB" e pasqyroi afrimin e kësaj shfaqjeje dhe më pas edhe jehonën e saj në media. Fatkeqësia natyrore shkaktoi 51 viktima dhe arti po vinte në ndihmë përmes kësaj nisme.

"Në zemër të Romës luten për Shqipërinë. Një violinë në interpretimin e mrekullueshëm të Anyla Krajës, një piano e mjeshtrit Fausto Di Cesare, një aktor me performimin unik të Alen Xhafa, një aktor prezantues televiziv i mirënjohur, Livio Beshir e shtatë balerinë të kompanisë "Astra Roma Ballet" drejtuar nga koreografja dhe balerina e preferuar e Rudolf Nureyevit Etoil Diana Ferrara realizuan një spektakël magjik nën skenarin e artistit shumëdimensional shqiptar Alen Xhafa e regjisores italiane Angela Ceruti", raportonte nga Roma për RTV "Ora" gazetarja Alba Kepi.

Gazeta italiane "Il Foyer" të nesërmen pas shfaqjes shkruante: "Në këtë lidhje të padiskutueshme dhe të suksesshme midis muzikës dhe baletit, aktrimi poetik dhe i hollë i Alen Xhafës ka arritur të marrë për dore shikuesin për ta çuar të rizbulojë parimet e vërteta të ekzistencës njerëzore, të cilat shpesh na shpëtojnë për shkak të mungesës së kohës ose shpërqëndrimit. Në një vizion gati budist, ai na nxit të jemi të vetëdijshëm për çdo çast të jetës sonë pa e humbur vëmendjen nga thelbësorja: të jetuarit e jetës së përditshme në mënyrë që mendimet, veprimet dhe fjalët tona të jenë gjithmonë shfaqje të një qëndrimi pozitiv dhe human ndaj jetes duke nënvizuar shenjtërinë e saj".

Nisur nga kërshëria për të mësuar mbi figurën e këtij artisti  OPUSALB bisedoi me Alenin.

Për të mësuar më shumë mbi këtë personazh vizitoni faqen e tij: www.alenxhafa.com

Ndiqni në vijim bashkëbisedimin tonë:

OPUSALB: Ju faleminderit që pranuat të flisnit për lexuesit e revistës shqiptare të kritikës muzikore “OPUSALB”! Urime për shfaqjen! A mund të na thoni si erdhët në këtë ide?

A.XHAFA: Bërthama e kësaj shfaqjeje lindi nga nëna ime, Anyla e cila pati vizionin hulumtues të formave të ndryshme të artit të ndërthurura në një sinergji të atillë për të eksploruar nëpërmjet tingullit , fjalës dhe koreografisë instrumentin e jetës: zemrën. Unë bëra një kërkim më të thellë të strukturës, të funksionit dhe të fuqisë së këtij organi dhe nisa të zbuloja fakte dhe anë të kësaj makinerie të jashtëzakonshme që nuk më ishin mësuar në shkollë. Këto gjëra të pazbuluara më nxitën të shkruaj për spektaklin.

OPUSALB: Roli juaj në këtë shfaqje ishte si i interpretuesit po ashtu edhe i skenaristit. Sallaju ndoqi në përcjelljen prej jush të disa elementëve shqiptarë si për shembull në  vargjet e famshme të Naim Frashërit “O malet e Shqipërisë”, improvizimi në skenë me violinisten mbi motivet e një përralle të njohur në jugun e Shqipërisë. A mund të na thoni sa e pranishme është Shqipëria tek ju?

A.XHAFA: Unë u rrita nga dy gjyshër të fortë dhe nga një nënë e patrembur, të gjithë shumë krenarë për origjinën dhe trashëgiminë e tyre shqiptare. Edhe pse fizikisht u largova nga Shqipëria në një moshë shumë të vogël, u rrita si emigrant në një shoqëri italiane ku shpesh ndihej tendenca e diskriminimit shoqëror e kulturor. Më kujtohet kur në klasën e shtatë të shkollës tetëvjeçare shkrova një poezi me titullin: “Shpresa ime” ku në hapjen e poezisë riprodhoja vargjet e Naim Frashërit duke shprehur një dhimbje të rrënjosur në zemër për diskriminimin e tokës së shqiponjave, dëshmitar i cilës isha edhe pse në moshe shumë të rë. Në atë poezi nënvizohej shpresa se një ditë atdheu ynë do të rimerrte rolin e një toke mëmë të nderuar dhe të respektuar nga gjithë popujt e tjere. Kur mësuam për pasojat tragjike të tërmetit që kohët e fundit goditi vendin, vendosëm ta përdornim atë poezi që kisha shkruar shumë vite më parë në këtë shfaqje dhe ta transformonim për Shqipërinë si një thirrje për solidaritet drejtuar gjithë fqinjëve.

OPUSALB: Violinistja Kraja është nëna juaj. Si është të luash në të njëjtën skenë, nënë e bir? Cilat janë emocionet dhe me çfarë ambiciesh qëndron një artist që sapo ka nisur rrugën e artit pranë një emri me përvojë?

A.XHAFA: Unë u rrita duke dëgjuar nënën time që ushtrohej për orë e orë të tëra në instrumentin e saj, violinën duke zhvilluar dhe përsosur mjeshtërinë e saj. Ajo etikë pune më mësoi se në art asgjë nuk është e lehtë, dhe se të gjitha format e artit kanë nevojë për përsosmëri, këmbëngulje dhe orë të tëra përgatitjeje. Kur mësova se do ta ndaja skenën me nënën time, duke e parë atë që interpretonte me këmbëngulje të parreshtur, natyrisht u ndjeva pak i frikësuar. Kjo shpejt u kthye në një forcë për ta bërë atë krenare, për të krijuar dhe interpretuar diçka që do të përshtatej edhe me cilësinë e muzikës së saj. Por ndërsa ndaja skenën me të, shpirti i gjyshes sime, Teftës, nënës së saj, që ndërroi jetë dy vjet më parë, ishte aty shumë pranë meje në një trekëndësh energjie që më preku thellësinë e shpirtit, duke e bërë atë çast aq të fuqishëm, të paharruar dhe domethënës.

OPUSALB: Ju jeni larguar herët nga Shqipëria, formimi juaj lidhet fort me Italinë ku keni studiuar deri sa u bëtë 18 vjeç dhe më pas ne Toronto (Kanada) ku u diplomuat në një nga universitetet më të njohura të aktrimit dhe filmit në botë. A mund të na tregoni se sa ka ndikuar secila nga këto përvoja në formimin tuaj?

A.XHAFA: Mendoj se Shqipëria më dhuroi shpirtin e vetëvendosjes dhe një disipline ne jete që e kam marrë me vete që fëmijë si një nevojë për t´ja dalë mbanë me studimet. Italia pa diskutim më njohu me bukurinë e shprehjes artistike dhe me vlerën që ka “dolce vita”, duke shijuar çdo çast dhe duke u kënaqur me ushqimin e mirë, muzikën e bukur dhe me trashegimine kulturore te pafund që të frymëzon.

Kur shkova në Kanada kuptova se sa i mbrojtur kisha jetuar deri atëherë. Peizazhi shoqëror kanadez është i mbushur me pamje dhe realitete kulturore kaq të shumta e të ndryshme sa që më hapi sytë për një mënyrë tërësisht të re jetese. Kanadaja më dha perceptimin e një tërësie identitetesh, gjuhësh, mentalitetesh, kulinarie, normash shoqërore nga mbarë bota si dhe tema të larmishme që mund t´i ngjisja në skenë, t´i zbuloja gjatë në përzgjedhje rolesh dhe një reflektim më të gjerë per një audiencë shumë më të madhe.

OPUSALB: Muzika, baleti, fjala qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. A mendoni ta prezantoni këtë shfaqje edhe për publikun në Shqipëri apo edhe në ndonjë nga hapësirat e tjera shqipfolëse?

A.XHAFA: Po, këtë shpresojmë dhe urojmë, ta ndajmë me sa më shumë publik të mundemi sepse kjo është një temë që është ndërkombëtare në vlerat e saj për aq kohë sa bashkon njerëzit, pavarësisht nga prejardhja e tyre shoqërore dhe kulturore. Nëse do ta sillnim në Shqipëri do të ishte jashtëzakonisht e veçantë sepse është vendlindja jonë dhe për mua do të ishte debutimi i parë në një skenë në vendin e shqiponjave.

OPUSALB: Viti 2020 sapo ka nisur. Cilat janë planet tuaja dhe a keni mundësi të ndani me lexuesit tanë?

A.XHAFA: Jam aktualisht duke punuar dhe organizuar një turne në Kanada me këtë spektakël, duke udhëtuar në qytetet më të mëdha të vendit, si Toronto, Montreal dhe Vankuver. Jemi në bisedime që ta çojmë edhe në Francë e Zvicër po ashtu, që do të ishte e jashtëzakonshme. Po punoj shumë dhe në vijimin me përvojën e aktrimit para kameras. Jam gjthmonë duke shkruar materialin e ri që mendoj të prodhoj, regjizoj dhe interpretoj sepse filmi është një nga mediumet e mia me të preferuara në botën e aktrimit. Këto janë disa dhe shpresoj më shumë plane do të vijnë në rrugën time gjatë këtij viti të ri 2020.

P.S. Fotot janë realizuar nga Fadil Berisha USA