Qeveria s`ka vendim për mjetet që i ka kërkuar KQZ për kryetar të Podujevës
BKT
Lajme

Qeveria s`ka vendim për mjetet që i ka kërkuar KQZ për kryetar të Podujevës

Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për të ndarë mjetet që i ka kërkuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës në Podujevë, të cilat do të mbahen më 15 mars. KQZ ka paralajmëruar se në mungesë të buxhetit, rrezikohet të mos mbahen zgjedhjet. Por, njohësit e çështjeve zgjedhore thonë se ende ka afate ligjore, që qeveria mund të ndajë buxhetin për zgjedhjet në Podujevë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nuk është miratuar buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevë dhe si pasojë e kësaj, rrezikohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve. KQZ, ka kërkuar nga qeveria 491 mijë euro për të dy raundet në këto zgjedhje, por qeveria nuk e ka miratuar ende këtë buxhet. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se mos ndarja e buxhetit me kohë, rrezikon mosmbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë.

Sipas Dakës, KQZ-ja ka kryer të gjitha procedurat me rregull dhe me kohë, duke shtuar se KQZ-ja nuk mban përgjegjësi në rast të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve. Në mbledhjen e mbrëmshme të KQZ-së u tha se të gjitha afatet ligjore po tejkalohen. Por, njohësi i çështjeve zgjedhore, Mazllum Baraliu, tha për Radio Kosovën se ende ka afat që qeveria të miratojë buxhetin për organizimin e zgjedhjeve në Podujevë dhe kjo duhet të ndodhë shumë shpejt.

“Qeveria e tanishme duhet siguruar domosdoshmërisht mjete. Definitivisht janë kërkesa të mëdha dhe sidoqoftë ata duhet të jenë të përgatitur. Zgjedhjet duhet të mbahen, afati nuk bën të shtyhet, qeveria duhet të sigurojë mjetet dhe ka ende kohë”, tha ai.

Baraliu, theksoi se mos miratimi i buxhetit nuk do të thotë të mos fillojnë përgatitjet nga ana e KQZ-së.

“Kryesorja është shtypja e fletëvotimeve, të cilat bëhen me kontratë dhe asnjë shtypshkronjë nuk kërkon pagesën para se të kryhet puna. Madje, pas përfundimit të punës dorëzohen ato dhe pastaj bëhet pagesa. Prandaj është një alarm që duket se është i shtytur, përndryshe mjetet mund të sigurohen”, shtoi ai.

Sipas KQZ-së, asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos kenë buxhet 25 ditë para ditës së zgjedhjeve. Afati i fundit për paraqitje të kandidatëve për zgjedhjet në Podujevë ishte të hënën dhe këtë e shfrytëzuan tri parti politike: LDK-ja do të garojë me Nexhmi Rudarin, VV-ja me Shpejtim Bulliqin dhe PDK-ja me Naim Fetahun. Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët fillon më 3 mars dhe përfundon më 13 mars.

 


MË SHUME NGA Lajme