`My name is Sonila`, premierë evropiane në`Travelling Rennes Film Festival`

`My name is Sonila`, premierë evropiane në`Travelling Rennes Film Festival`

Filmi “My name is Sonila”, me skenar dhe me regji nga Suela Bako, konkurron në edicionin e 31-të të “Travelling Rennes Film Festival”, që ka nisur në Francë.

Në konkurrim janë filma të ndryshëm nga bota. Filmi shqiptar “My name is Sonila” në kompeticionin zyrtar në këtë festival shënoi premierën evropiane.

Ky vit, veç angazhimeve në skenën shqiptare, për Suela Bakon, një emër i njohur dhe i vlerësuar në jetën artistike në vend, ka nisur edhe me këtë prezantim në njërin nga festivalet që merr jo pak vëmendje në ditët e tij. “My name is Sonila” është një film artistik me metrazh të shkurtër, prodhim i “Era Film Production” (Shqipëri) dhe “Takami Production” (Francë), i financuar nga Qendra Kombëtare e Filmit. Producentja Sabina Kodra shprehet se me këtë film ka qenë një rrugëtim i gjatë, por një punë e bërë me shumë mund. “Është një punë e vogël e bërë me mund të madh. Kemi mbi 4 vjet që punojmë me këtë projekt, një rrugëtim i gjatë e i mundimshëm”, shprehet producentja Kodra për këtë film në festivalin “Travelling Rennes Film Festival”, që nisi më 11 shkurt, për të përfunduar mbrëmjen e datës 18 të këtij muaji në Francë. Filmi shqiptar u shfaq si premierë evropiane në 14 shkurt, duke sjellë në role aktorë të njohur. Në filmin “My name is Sonila” interpretojnë: Suela Bako, Marilda Furxhi, Kaltrin Zalla, Naum Shundi, Romir Zalla, Marvin Tafaj, Kastriot Shehi, Margent Çaushi, Bajram Dosti, Marsias Lila, Donika Ramallari, Ervin Mustafaj dhe Florind Belliu.

Me pjesëmarrjen në kompeticionin zyrtar të “Travelling Rennes Film Festival” filmi shqiptar “My name is Sonila” shënoi premierën evropiane, por prej këtej ky prodhim kinematografik pret të shfaqet edhe në festivale të tjera në botë. Suela Bako përfundoi studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ajo ka qenë pjesë e shumë filmave të shkurtër dhe të gjatë si aktore. Ajo ka luajtur role në Teatrin Kombëtar dhe në prodhime të tjera teatrore. Në aktivitetin e saj ndër vite Suela Bako ka punuar si regjisore televizive për 10 vjet. Veprat e saj kanë qenë pjesë e shumë festivaleve ndërkombëtare të filmit. Filmi i saj “Darka” fitoi 5 çmime. Ajo ka qenë regjisore dhe skenariste e “Dritës”, një dokumentar rreth Gjon Milit, fotografit të famshëm shqiptaroamerikan. “Drita” ka qenë pjesë e shumë festivaleve ndërkombëtare, siç është Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik.