Tahiri: Kurti të dëgjojë SHBA-në, ta heq taksën pa kushte
Analisti politik, Ramush Tahiri vlerëson se është koha e fundit që Kosova ta heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake.
Madje ai sugjeron kryeministrin Albin Kurti që të mos e kushtëzojë heqjen e taksës me reciprocitet, por të dëgjojë ShBA-në.
Emërimin e ambasadorin Richard Grenell në krye të inteligjencës amerikane, po e shohin si një dëshmi shtesë për rolin e tij karshi dialogut Kosovë-Serbi.
Analisti politik, Ramush Tahiri në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Albin Kurti tashmë është kryeministër i Kosovës dhe ka përgjegjësinë shtetërore dhe jo atë partiake.
Andaj kërkon nga ai që kërkesën e ShBA-së për heqjen e taksës ta marrë seriozisht dhe të mos vejë kushte, por të vepron ashtu siç Grenelli po kërkon.
Tahiri thotë se taksa pati ndoshta efekte të brendshme, por në arenën ndërkombëtare e ka dëmtuar dukshëm Kosovën.
“E ka harmonizuar programin me partnerin e koalicionit dhe Kurti ka një ndryshim pozitiv sepse sillet si njeri me përgjegjësi shtetërore që respekton Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe respekton partneritetin ndërkombëtar. Kërkesë që nga fillimi është e ShBA-së që Kosova ta heq taksën pa asnjë kusht. Sepse taksa është vënë njëanshëm, i ka pasur efektet e veta të cilat disa i vlerësojnë pozitive, disa negative, ndërsa në arenën ndërkombëtare asnjë pozitive. Do të thotë nuk kemi hasur në asnjë përkrahje ndërkombëtare për vendosjen e taksës sepse nuk është normë normale në marrëdhëniet ndërmjet shteteve”.
“Taksa dhe masat e këqija vetëm në gjendje lufte, në gjendje krize në aleancat ndërkombëtare. Ndërsa Kosova asnjërën nga këto nuk i ka në raportet me Serbinë. Albin Kurti duhet ta heq taksën pa asnjë kusht sepse politika e tij duhet bazohet në konventat ndërkombëtare, në respektim të Kushtetutës, në marrëdhënie të mira me fqinjët dhe nuk duhet të jetë politik e inateve dhe kushtëzimeve”, thotë ai.























