Borrell propozon Lajçakun për përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi
BKT
Lajme

Borrell propozon Lajçakun për përfaqësues të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi

Mirosllav Lajçak u propozua edhe zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, u ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së emrin e Lajçakut si përfaqësues i ardhshëm i bllokut, i cili para së gjithash do të merret me normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe me çështje të tjera në rajon.

Propozimi formal i Lajçakut mësohet se ka qenë edhe arsyeja e bisedave telefonike që Borrell ka zhvilluar të premten me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pritet që emërimi i Lajçakut në detyrën e re të bëhet më 23 mars, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian.

Emërimi i mëhershëm thuhet se nuk është i mundur pasi ai vazhdon të kryejë funksionin e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë.


MË SHUME NGA Lajme