Muja: Deri tani Serbia s’i ka respektuar marrëveshjet që i ka me Kosovën
Heqjen e taksës po e kundërshton fuqishëm opozita në vend, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të mos e heqë atë pa njohjen e Kosovës nga Serbia.
Ende nuk ka ndonjë vendim për heqjen e taksës, ndonëse qeveria “Kurti” ka këmbëngulur që atë së shpejti do ta zëvendësojë me reciprocitet. Idenë e Qeverisë nuk po e përkrah edhe më tej bashkësia ndërkombëtare, e cila po kërkon që taksa të hiqet pa kushte. Heqjen e taksës po e kundërshton fuqishëm opozita në vend, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të mos e heqë atë pa njohjen e Kosovës nga Serbia, shkruan gazeta Zëri.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Armend Muja, ka thënë për këtë të përditshme se e përkrah si politikë të Kosovës reciprocitetin si zëvendësim ndaj taksës, por deri tani Serbia nuk i ka respektuar marrëveshjet të cilat i ka lidhur me Kosovën. “Unë dua të potencoj se Serbia nuk i njeh diplomat e Kosovës, nuk i njeh certifikatat, nuk i njeh tabelat e Kosovës e nuk i njeh pikat kufitare të Kosovës, megjithëse ne kemi dorëzuar një marrëveshje për menaxhimin e kufirit. Unë mendoj që masat e reciprocitetit duhet të koordinohen mes palëve dhe Qeveria e Kosova duhet ta bëjë publike politikën dhe arsyet se pse po i merr këto masa”.
Muja është shprehur se vendit i duhet një institucionalizim sa i përket dialogut me Serbinë, që sipas tij deri tani është bërë me protagonizëm të individëve.























