Konstituohet edhe një Komision, premtojnë angazhim për të drejtat e njeriut

Konstituohet edhe një Komision, premtojnë angazhim për të drejtat e njeriut

Edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione është konstatuar sot kryesuar nga kryetari Rasim Demiri.

Kryetari Demiri shpalosi veprimtarinë e Komisionit, ndërsa më pas anëtarët dhanë propozime për ndryshime të disa ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe fushat me të cilat do të merret ky komision.

“Komisioni është funksional dhe i shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut dhe peticionet e parashtruara nga një apo më shumë qytetar. Fushëveprimi përfshinë bashkëpunimin me Avokatin e Popullit, dhe zbatimin e barazisë gjinore. Po ashtu shqyrtimi i pozitës së grave dhe propozimi i masave në të gjitha lëmit e jetës, si dhe mbrojtjen e grave nga abuzimet fizike”, deklaroi Demiri.

Anëtari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Sali Zyba përmendi rendin e ditës për mbledhjen e ardhshme, që sipas tij, duhet të shqyrtohen peticionet e qytetarëve, që paraqesin shqetësime për ta.

“Aktualisht janë duke pritur shume peticione, për ato që kemi shqetësime të qytetarëve dhe e kanë mirëpritur këtë mbledhje të parë që mund të adresojnë shqetësimet e tyre, peticionet në veçanti. Prandaj, konsideroj të nevojshme gjatë kësaj jave me pasur mbledhjen e parë gjatë kësaj jave. Për rend dite ka shumë propozime, bashkëpunimet me Avokatin e Popullit. Duhet të jetë ai prezent në mbledhjen e parë”, theksoi Zyba.

Anëtarja e Komisionit nga AAK-ja, Teuta Haxhiu, tha se në këtë mandat do të angazhohen për të drejtat e njeriut dhe ligjet që rregullojnë këtë fushë.

Haxhiu përmendi edhe Ligjin për të pagjetur, e cila tha se është një ligj i kërkuar për katër mandate dhe sipas saj, amandamentimi i këtij ligji është me interes të veçantë, sepse ligji aktual nuk trajton dinjitetshëm familjet e prekura.

“Të drejtat e njeriut në çdo pore të jetës, duhet shikuar me llupë sesa thjesht të respektohen. Kur jemi te aspekti I barazisë gjinore, mendoj se secili prej nesh në këtë Komision të shtyjmë përpara proceset për të zbatuar ligjin që kemi, ku për fat të keq që nuk është zbatuar ende prej kur është miratuar më 2015. Kërkojmë me ngulm që ky ligj të zbatohet dhe njëkohësisht ligjet e tjera të harmonizohen me këtë ligj. Është praktikë e cilës do qeveri që shumë herë janë vonuar me sjelljen e ligjeve që janë me interes, pra e kemi Ligjin për Kundër dhunës në familje, për të cilin neve na takon shumë shpejt të punojnë për të”, tha Haxhiu.

Të gjithë anëtarët u pajtuan që Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione të mblidhet sa më shpejt që është e mundur, ngase, siç u tha, ka shumë çështje nga legjislatura e kaluar, të cilët duhet të trajtohen.


MË SHUME NGA Aktuale