Ende nuk dihet si do të bëhet sistemimi i shërbyesve civilë
BKT
Lajme

Ende nuk dihet si do të bëhet sistemimi i shërbyesve civilë

Albana Karaj, Radio Kosova

Ende nuk dihet dhe nuk është marrë ndonjë vendim nga ana e Qeverisë për sistemimin e shërbyesve civilë, të cilët janë punëtorë të ministrive që tashmë janë fuzionuar në ministri të tjera.

Sindikata e Shërbyesve Civilë ka paralajmëruar masa sindikale pasi të shterohet i gjithë dialogu social në mbrojte të të drejtave ligjore të punëtorëve të pa-sistemuar. Sindikalistët kanë deklaruar se veprimi i qeverisë është politik dhe se nuk do të mund të funksionojë mirë në praktikë. 

Shërbyesit civilë në disa departamente të ministrive që tashmë janë shkrirë, vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre se ku do të sistemohen apo do të mbesin pa punë. Disa prej tyre nuk deshën të deklarohen, por jashtë mikrofonit theksuan se nuk dinë kujt duhet t’i raportojnë dhe mbi cilën bazë. Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, tha për Radio Kosovën se kjo situatë ka shkaktuar huti te punëtorët, pasi shumë prej tyre mund të sistemohen aty ku nuk janë të kualifikuar. 

“Qeveritarët nuk kanë pyetur fare dhe na kanë sjellë në këtë pozitë. Disa prej shërbyesve civilë mendojnë se do të mbeten pa vende të punës, disa se do të sistemohen aty ku nuk janë të paraparë apo të kualifikuar dhe kjo është situata e tanishme.”

Ndërkohë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ishte më e rëndësishmja, tha Zymberi, duke shtuar se tashmë ajo është ndarë në tri pjesë dhe se puna e tyre është shumë e ndjeshme. 

“Përderisa në fushata zgjedhore është thënë se janë të interesuar për mirëqenien e qytetarëve, e shkatërron ministrinë që punon për mirëqenien e qytetarëve. Departamenti për politikat sociale është në dilemë se kujt do t’i raportojë ose si do të sistemohen ata punëtorë.” 

Kryetari i Sindikatës Zymberi, garantoi se të gjitha veprimet sindikale do të shkojnë në interes të të punësuarve, të cilët janë punësuar në mënyrë ligjore dhe kanë akt-emërimet e tyre.

“Qeveria nuk guxon në asnjë moment ta vë në diskutim funksionimin e ligjit mbi shërbyesit civilë, i cili parasheh situata se kur mund të humbet vendi i punës. Ne e kemi të garantuar vendin e punës dhe nuk mund të sistemohemi në formë grupore, sepse është një rregull që duhet të pyetet edhe vullneti i zyrtarit dhe i shërbyesit civil nëse mundet, është i kualifikuar dhe a i përshtatet ai vend i punës.” 

Zymberi theksoi se i kanë bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës për t’u takuar dhe t’i sqaruar të gjitha këto çështje, por ende nuk kanë marrë përgjigje. Ai tha se do të ndërmarrin masa sindikale pasi të shterohet i gjithë dialogu social. 

Zymberi tha se ky veprim i qeverisë është politik dhe se nuk do të mund të funksionojë mirë në praktikë. Qeveria e Kosovës, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për punëtorët e ministrive që janë “shkrirë”.


MË SHUME NGA Lajme