Planprogram ambicioz i qeverisë Kurti, opozita mosbesuese
Një muaj pas formimit qeveria Kurti arriti ta kornizojë planprogramin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm.
Ndonëse ende nuk është bërë publik, kreu i ekzekutivit Albin Kurti theksoi se plani i qeverisjes, i hartuar të shtunën, përcakton prioritetet e Qeverisë që nga sundimi i ligjit e deri te politika e jashtme e vendit. Ndërkohë përfaqësues të opozitës janë shprehur skeptikë për realizimin e premtimeve të qeverisë Kurti, shkruan sot Zëri.
Një mbledhje tërëditore e kabinetit të qeverisë Kurti është zhvilluar të shtunën në Prevallë, në të cilën u tha se u kornizua planprogrami qeverisës për katër vjetët e ardhshëm. Pas një mbledhjeje prej tetë orëve shefi i Qeverisë, Albin Kurti, deklaroi se së shpejti do të publikohet versioni përfundimtar i programit qeverisës, i cili pas miratimit do të sillet në Kuvendin e Kosovës për diskutim.























