SPERTK dënon sulmin ndaj kryeredaktorit të web-faqes së RTK-së
Sulmin fizik të ndodhur mbrëmë ndaj kryeredaktorit të web-faqes së RTK-së, Altin Ahmeti, e ka dënuar edhe Sindikata e Punëtorëve e RTK-së (SPERTK).
“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e dënon ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj kryeredaktorit të Uebit të RTK-së, Altin Ahmeti, i cili u sulmua nga pesë persona derisa po qëndronte në njërin nga lokalet në kryeqytet.
SPERTK kërkon nga Polica dhe Prokuroria që sa më parë ta zbardhin këtë rast, ndërsa kryerësit e këtij sulmi ndaj kryeredaktorit Ahmeti të vihen para drejtësisë”, thuhet në reagimin e kryesisë së SPERTK-së.
Kryeredaktori i web-faqes së Radio Televizionit të Kosovës, Altin Ahmeti është rrahur brutalisht nga pesë persona mbrëmë në një lokal të Prishtinës.
Sulmin fizik që ka ndodhur mbrëmë ndaj Altin Ahmetit, e ka dënuar më herët edhe menaxhmenti i RTK-së dhe Sindikata e Pavarur e këtij mediumi.























