Të rinjtë nga Lugina të diskriminuar nga moslirimi i pagesës për semestra
Të rinjtë shqiptarë të cilët vijnë nga vendet e rajonit për të studiuar në universitetet publike në Kosovë nuk janë të liruar nga pagesa e semestrave, sikurse studentët kosovarë në UP. Ata e cilësojnë si diskriminues udhëzimin që e rregullon këtë çështje.
Fatlind Azizi nga Presheva ndjek studimet në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës. I regjistruar dy vjet pas fillimit të zbatimit të udhëzimit administrativ të 2014-s që parasheh “Aplikimin e pagesave të studentëve në Universitete publike”, Fatlindi nuk e ka gëzuar të drejtën e lirimit nga pagesa e semestrave për vitin e parë të studimeve, pasi ai nuk është shtetas i Kosovës.
“Kërkesa bazë e jona është që të paktën të jemi të barabartë me të tjerët, pastaj të kujdesemi që të mos kemi një diskriminim tepër pozitiv ndaj shtetasve të Kosovës”, tha Azizi.
Në udhëzimi administrativ 17/2014, përkatësisht në pikën 1 të nenit 2 thuhet se:
“Studentët shtetas të Republikës së Kosovës që vijojnë studimet në universitetet publike vitin e parë të studimeve e kanë falas”.
Këtë udhëzim administrativ të bazuar në vendimin e kryeministrit të asaj kohe, Hashim Thaçi, e shohin si diskriminues edhe ligjërues në Universitetin e Prishtinës. Madje ata kërkojnë që të rinjtë të cilët vijnë nga Lugina e Preshevës dhe vendet shqiptare të rajonit, të lirohen nga pagesa gjatë studimeve themelore.
“Si e tillë është e panevojshme. Mendoj se duhet të largohet edhe për arsye se UP si universiteti më i madh shqiptar duhet të shtrijë influencën e vet edhe tek të rinjtë shqiptarë, që jetojnë jashtë Kosovës si territor. Prandaj është e domosdoshme të rishikohet udhëzimi administrativ që e përcakton një gjë të tillë dhe si rrjedhojë të përjashton nga pagesa jo vetëm në vitin e parë por në të gjitha vitet e studimit”, tha Alban Zeneli – Ligjërues në Departamentin e Gazetarisë.
Në menaxhmentin e Universitetit të Prishtinës shprehen të gatshëm që t'i lirojnë këta studentë nga pagesa, nëse një gjë e tillë rregullohet me një vendim nga organet gjegjëse arsimore.
“Jam jashtëzakonisht në favor të asaj që një gjë e tillë të diskutohet dhe të analizohet, jo vetëm për ofrimin e lehtësisë së tillë që ka të bëjë me një pagesë prej 25 eurove, që për vitin akademik është 50 euro, por të analizohen edhe shkaqet e tjera që mund të kenë drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të tyre në arsimin e lartë”, tha Hysen Bytyqi – Prorektor për çështje mësimore UP.
Në vitin akademik 2014/2015, kur është marrë vendimi për lirimin dhe uljen e pagesave të semestrave, në UP ishin regjistruar gjithsej 175 studentë shqiptarë nga vendet e rajonit, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia, derisa nga këto vende në vitin akademik 2019/2020 janë regjistruar vetëm 72 të rinj.























