Madhështinë e luftës së UÇK-së e ka rritur pjesëmarrja e grave dhe vajzave
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë sot dekorata për ushtarët e UÇK-së, ku me këtë rast ai tha se madhështinë e luftës së UÇK-së e ka shtuar pjesëmarrja e grave dhe vajzave.
"Sot është nja ditë e veçantë për kombin tonë, sot shënojmë ditët e Epopesë së UÇK-së, kujtojmë luftën heroike, madhështore të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij. Manifestime që do të vazhdojnë gjatë tri ditëve të ardhshme. Si bashkëluftëtarë dhe si president i vendit vlerësoj lart kontributin e secilit, por madhështinë e ka shtuar e ka rritur dhe e ka hijeshuar me sakrificën e vet edhe pjesëmarrja e grave, vajzave në UÇK", tha Thaçi.
"Kam vendosur duke respektuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore, të ndajë dekorata për kontributin tuaj të çmuar. Këto dekorata iu jepen personave që kanë dhënë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e vendit", tha ai.
Në mesin e të dekoruarave ishte Fitnete Ramosaj, të cilën e ka dekoruar me medaljen Hero i Kosovës.























