Reshitaj kërkon “taskë-forcë” për koronavirusin
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj po kërkon që Kosova të ndjek shembullin e Shqipërisë dhe disa vendeve tashmë të prekura nga COVID 19 dhe të ngritët “task-forcë” e cila në rastin tonë do të merrej me masat parandaluese karshi koronavirusit.
Reshitaj, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Shëndetësi, tha se ndonëse deri më tani nuk është konfirmuar asnjë i prekur me koronavirus, Kosova nuk duhet të jetë e papërgatitur për të parandaluar përhapjen e këtij virusi që ka përfshirë shumë vende të botës.
Sipas saj është e nevojshme që të krijohet një “taskë forcë” në mes të Ministrisë së Arsimit, Punëve të Jashtme dhe asaj të Shëndetësisë me qëllim të koordinimit në rast se do ketë të prekur nga virusi COVID-19.
Reshitaj: Duhet të ketë “task forcë” për koronavirusin
“Unë kisha dashur që institucionet qeveritare tashmë të kenë edhe takime të përbashkëta dhe ‘task forcë’ ndërministrore me Ministrinë e Arsimit, e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Shëndetësisë, bashkë me institucionet të tjera përgjegjëse për t’u dakorduar në rast nevoje nëse të mbyllen edhe përkohësisht edhe shkollat. Shqetësimi mund të jetë aty sepse fëmijët mund të bartin infeksionin dhe ta bartin tek shtëpia dhe të infektohen pleqtë”, deklaroi Reshitaj.
Ajo madje këshillon qeverinë e Kosovës që të mos të bëjë gabime që i kanë bërë shtetet fqinje dhe se mjetet e ndara t’i destinojë për nevojat e qytetarëve.
Reshitaj: Mjetet e ndara nga qeveria të shfrytëzohen për nevojat e qytetarëve
“Mirë që është ndarë një shumë e mjeteve dhe e mira të mirës është që menjëherë të fillohet me proce dura të shpejta dhe të kontrollohet të gjitha ato mjete se ku po shkojnë sepse normalisht duhet ta arrijmë rezultatin final që duhet t’i kemi të gjitha mjetet në dedikim për nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne si komision jemi duke monitoruar të gjithë punën e të gjitha institucioneve”, tha ajo.
Kujtojmë që dje Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për zhvillimin e aktiviteteve dhe planet rreth parandalimit dhe trajtimit të virusit, në rast se do të ketë të prekur në Kosovë.
Ndërkohë që në Shqipëri janë konfirmuar 11 persona tashmë të prekur nga ky virus, dhe një i vdekur, derisa qeveria atje ka mbyllur shkollat për dy javë, shkaku i përhapjes së koronavirusit.
Koronavirusi është përhapur në mbi 100 vende të botës ndërkohë që qeveritë kanë ndërprerë fluturimet me vendet e prekura, dhe disa kanë mbyllur kufijtë për një periudhë të pacaktuar.























