Reçica: Kurti e ka polarizuar skenën politike në vend
BKT
Lajme

Reçica: Kurti e ka polarizuar skenën politike në vend

Deputeti nga radhët e PDK-së, Elmi Reçica në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, tha se kjo seancë është thirrur  për të diskutuar e para se gjithash, për të kundërshtuar fuqishëm dhe me vendosmëri të lartë veprimet e kësaj qeverie të papërgjegjshme në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mbi çdo pikëpamje politike, mbi çdo rreshtim politik, mbi çfarëdo interesi politik partiak e mbi çdo interes populist për një grusht votash, nuk duhet lejuar të cenohen raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja është boshti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është aleati kryesor dhe më i rëndësishmi që ka patur ndonjëherë kombi shqiptar”, tha ai.

Sipas tij,  gjithë rrugëtimi ynë për çlirim, liri, pavarësi dhe shtetndërtim lidhet ngushtë dhe në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Edhe pjesa tjetër e rrugëtimit të përmbylljes së suksesshme të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe të integrimit euro-atlantik lidhet ngushtë dhe do të rrugëtojmë bashkarisht duke bashkëvepruar me dhe përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu edhe arritja e marrëveshjes së paqes, marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohjen e ndërsjellë të vendeve tona dhe anëtarësimin në OKB do të arrihet bashkarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet mike perendimore”, u shpreh Reçica.

Këto fakte, sipas tij, dhe qëndrime të vërteta mbi raportet e shkëlqyera dhe speciale të Republikës së Kosovës me aleatin më të çmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditëve të fundit nga eksponentë dhe qarqe të lidhura me kryeminstrin Kurti, po kualifikohen si raporte serviliteti e me kualifikime negative nga më të ndryshmet.

“ Qëndrimet dhe aktivitetet e juaja politike, kanë prodhuar një momentum të rrezikshëm e të papranueshëm, që asnjë mendje e shëndoshë shqiptare nuk e ka besuar se mund të vijë e të ngjajë ky momentum, fatkeqësisht, Ju dhe mbështetësit e Juaj po flisni e po deklaroheni me qëndrime dhe me përmbajtje anti-amerikane. Kjo nuk duhet lejuar, paraqet rrezik dhe pasoja për të ardhmen e vendit tonë, të gjithë dhe njëzëri e pa dallim duhet ta kundërshtojmë këtë mendësi politike të kësaj qeverisje të paaftë, izoluese e zhgënjyese në raport me politikën zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shpreh ai.

“Kryeministër, keni polarizuar skenën politike në vend, me veprimet e juaja dhe me diskursin e juaj, vërtetë jeni duke e polarizuar edhe më tej dhe më rëndë skenën politike, kjo nuk i shërben interesit shtetëror, nuk i shërben interesit kombëtar, Ju jeni duke e përfaqësuar dhe udhëhequr Qeverinë e Kosovës në mënyrë të papërgjegjshme. Keni degraduar raportet ndërinstitucionale, asnjëherë më parë raportet ndërinstitucionale nuk kanë qenë të nivelit më të ulët, jeni duke shënuar praktika të shëmtuara të komunikimit në jetën politike, keni marrë përgjegjësi shtetërore e institucionale, prandaj sjelluni dhe veproni si institucionalistë e si shtetarë dhe jo si anarkistë, ngase nuk mund të arsyetohen më këto aktivitete në të cilat parimet e juaja janë vetëm deklarata, prapa juve qëndron drama e polarizimit të skenës politike, përkeqësimit të raporteve dhe të komunikimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të pranisë së ndjenjës anti-amerikane brenda qarqeve të juaja”, tha ai.

Paralajmërimet e njëpasnjëshme për vendosjen e sanksioneve ndaj Kosovës nga ana zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,sipas Reçices, janë si pasojë dhe rezultat i veprimeve të juaja politike të papërgjegjshme, jeni duke ndjekur një politikë e cila na shpie në një situatë të pafavorshme dhe rrënuese për të ardhmen e Kosovës.

Ai  tha se politikat e kësaj qeverisje po paraqesin rrezik për interesin e përgjithshëm shtetëror e kombëtar.

“Ju po tregoni dhe po dëshmoni se nuk keni gatishmëri për tu përballur me përgjegjësitë dhe sfidat shtetërore. Ju jeni duke e dëmtuar perspektivën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, jeni duke e dëmtuar interesin e Kosovës. Populli i Kosovës është përcaktuar dhe rreshtuar fuqishëm përkrah vlerave amerikane dhe përendimore, këtë orientim dhe përcaktim të drejtë të popullit shqiptar nuk do të mund ta ndryshojë asnjë mentalitet dhe asnjë kastë politike, ngase janë orientimet, përcaktimet dhe vlerat e përbashkëta që na lidhin ngushtë dhe përgjithmonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj e kemi detyrim dhe obligim shtetëror e kombëtar që bashkarisht si përfaqësues politik e si popull t’i kundërshtojmë dhe ti ndalim projeksionet e rrezikshme politike të kësaj qeverisje të dëmshme që po sjell pasoja për vendin:, tha ai.


MË SHUME NGA Lajme