KMDLNj vlerëson kontributin e Shërbimit Korrektues kundër Koronavirusit
BKT
Lajme

KMDLNj vlerëson kontributin e Shërbimit Korrektues kundër Koronavirusit

Që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka bërë ftesë që të sigurohet një kujdes shtesë për mbrojtjen e personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues.

Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve, në koordinim dhe përkrahje të ministrive përkatëse , Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë ka ndërmarrë masat e ngutshme që të mbrohën jetët e personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues si sigurimi i maskave mbrojtëse, dorëzave dhe materialit dezifenktues sikur dhe ka caktuar hapësira të mjaftueshme dhe të domosdoshme për vendosjen e të prekurve eventualë nga virusi COVID – 19.

Në këtë kontekst Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka siguruar kushte që mostrat për analiza për të dyshuarit të dërgohen në Prishtinë nga ky Shërbim pa pasur nevojë të dërgohen të burgosurit.

Nga dita e premte, me nismë të Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili ka siguruar materialin e nevojshëm , shtatë (7) të burgosura në Qendrën Korrektuese për Femra kanë filluar të qepin maska mbrojtëse për stafin korrektues dhe për të burgosurit.

Të burgosuarat e kësaj Qendre punojnë me vullnet të madh, me një orar nga ora shtetë ( 7 ) e mëngjesit, deri në ora 22.00 dhe, deri më tani kanë qepur mbi 1000 maska mbrojtëse duke kontribuar konkretisht në mbrojtje më të madhe për të burgosurit dhe stafin korrektues. Me shtimin e numrit të të burgosurave në qepjen e maskave mbrojtëse, KMDLNj shpreson se do të sigurohen sasi të mjaftueshme për nevojat e Shërbimit Korrektues të Kosovës .

Këtë nismë të SHKK –ës, KMDLNj e vlerëson shumë sikur që e vlerëson punën e palodhshme të të burgosurva të cilat edhe në këto çaste të vështira bëjnë përpjekje të japin kontributin e tyre në luftë kundër pandemisë.

Sipas informatave të KMDLNj –së, deri më tani nuk ka asnjë person të privuar nga liria apo nga stafi korrektues që janë të prekur nga COVID -19.

KMDLNj –ën për çdo ditë e thërrasin personat e privuar nga liria, qoftë të paraburgosur apo të dënuar për t’u informuar për gjendjen dhe të drejtat që iu takojnë e që aktualisht, për shkak të situatës së emergjencës shëndetësore, nuk kanë mundësi t’i realizojnë.

KMDLNj po kërkon mirëkuptim nga personat e privuar nga liria që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës e që pastaj të punohet që të drejtat që iu janë mohuar për shkak të situatës, t’iu kompensohen.

KMDLNj vlerëson se, deri më tani sjellja e të privuarve nga liria është pozitive, bashkëpunuese dhe kontribuese për tejkalimin e situatës.

KMDLNj e vlerëson shumë kontributin e drejtorëve të këtyre qendrave, stafit korrektues, administrativ dhe shëndetësorë në përpjekje të tejkalim të situatës si dhe ndihmën që po ua japin Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë.


MË SHUME NGA Lajme