Vendimi i Qeverisë, Presidenti Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i Qeverisë, Presidenti Thaçi i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tha se ka vendosur ta dërgoj në kushtetuese vendimin e djeshëm të qeverisë së Kosovës, që ka të bëjë me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në tërë vendin për shkak të përhapjes së virusit COVID-19.

Sipas tij qeveria ka shkelur kushtetutën. "Duke marrë parasysh rrethanat e reja pas vendimit të qeverisë në këtë vendim antikushtetues, si president i vendit, unë vendosa që t’i drejtohem gjykatës kushtetuese me kërkesë të interpretim të çështjes së përputhshmërisë së vendimit të qeverisë së Kosovës lidhur me kufizimin e të drejtat dhe lirive që mbrohen me kushtetutë. Pra parashtruesi i kërkesës është presidenti. Do ta bëjmë publike edhe kërkesën që iu është dërguar Gjykatës Kushtetuese”, shton ai. Thaçi ka deklaruar se askush nuk qëndron mbi kushtetutën e Kosovës. “Ajo çka dua të them është sesi president i vendit, duke respektu në tërësi mandatin tim, kemi kërkuar që të ardhme të afërt, kemi bërë kërkesë për masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa sa i përket zhvillimeve tjera përsëri e theksoj se mbi kushtetutën e Kosovës nuk qëndron askush. Ftoj edhe njëherë për unitet qytetar, për kujdes maksimal”, ka shtuar ai.

Ndryshe sipas vendimit, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale si ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë apo shpezë, dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë si menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore.

 


MË SHUME NGA Aktuale