Osmani: Unë nuk e votoj këtë mocion

Osmani: Unë nuk e votoj këtë mocion

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do ta mbështesë mocionin e partisë së saj për rrëzimin e Qeverisë. 

Ajo ka thënë se nuk e ka tradhëtuar LDK-në. 

“Unë besoj se qeveria LDK-VV ka qenë e zonja që ta luftojë edhe korrupsionin edhe nepotizmin. Prandaj, nuk mund të pajtohem me mocionin e mosbesimit, aq më tepër në një kohë të pakohë, sepse konsideroj se, duke e votuar moocionin për shkarkim, ne po e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë për ndryshim. As shqetësimi mbi mbajtjen e tarifës nuk ekziston më, ngase qeveria ka marrë vendim për largimin e saj. Sot ju ndjeheni të lodhur dhe të fyer. Kështu ndjehem edhe unë. Sepse zëri juaj, sot nuk është dëgjuar. E, unë dua që zëri i secilit qytetar që pret të shohë se si do të vendosim ne e cili do të jetë fati nën të cilin do të zgjohet nesër, të dëgjohet. Prandaj do të flas,, me zërin që ma fuqizuat ju. Duke e pasur barrën e rëndë të udhëheqjes së kësaj seance, unë sot nga kjo foltore, por nesër nga një dritare e vogël në LDK, nga një dritare virtuale në rrjetet sociale e nga dritarja e banesës sime të vogël do ta kërkoj ta kthej dritën në dritaren e madhe të Kosovës. Dikush mund të flasë në aspektin legal, në emrin e LDK-së, por nëse dikush ka të drejtë morale dhe legjitime që të flasë në emrin e elektoriatit të LDK-së, jam unë Vjosa Osmani. Në zgjedhjen e fundit të 6 tetorit, unë isha kandidate për kryeministre të vendit. Unë e di kontratën që e kemi bërë si parti me elektoratin e LDK-së dhe ajo ka qenë: jo koalicion me PAN-in. Si politikane që ka konsistencë në qëndrimet e saj, unë jam kundër cdo marrëveshje me këto parti, unë nuk e thyej besimin e elektoratit të LDK-së për asnjë çmim", ka thënë ajo.

Osmani tha se ky mocion është ngritur ndaj qeverisë së ndryshimit në një vend ku politikanët, me gjasë e duan ndryshimin.

Tutje ajo shtoi se ky është fjalimi që nuk do të donte ta mbante.

“Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, ngase në çastin në të cilin unë po flas, Kosova dhe mbarë njerëzimi janë duke u përballur me njërën nga sfidat më të mëdha në historinë e njerëzimit, atë të virusit “Covid 19”. Në këtë çast të trishtë për njerëzimin, të cilin po e bëjmë edhe më të trishtë me mosdurimin tonë politik, me mocionin ndaj qeverisë, ëndrra për ta mbisunduar tjetrin shndërrohet në betejë meskine për pushtet, edhe atëherë kur ai pushtet është kërkon shërbëtorë sikur mantelbardhët tanë, që luftojnë për secilën jetë, për secilin njeri, për secilën fjalë”, përfundoi ajo.