Ymeri: Vota e mbrëmshme nuk është fitore për askënd

Ymeri: Vota e mbrëmshme nuk është fitore për askënd

Ish-kryetari Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-zyrëtari i Partisë Socialdemokrate Visar Ymeri ka shkruar në Facebook se votës për rrëzimin e qeverisë nuk do të duhej të i gëzohej askush dhe nuk është fitore e askujtë.

Ymeri është shprehur se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë dhe është ën interest ë Kosovës, dhe në këtë çështje duhet të bëhen bashk të gjitha forcat politike në vend.

“Dhe prapë po na përvidhet, sikur dje, sikur shumë hera tjera, një tendencë shumë e dëmshme e e rrezikshme politike – shpërfillja e çfarëdo parimi demokracie e transparence në emër të dialogut dhe për dialogun. Integriteti institucional e legjitimiteti demokratik janë shumë të rëndësishme. Prandaj është gabim që ato të nëpërkëmben kështu për ‘një të mirë më të madhe’. Integriteti i institucioneve e vendimmarrja demokratike janë pjesë e rëndësishme e ‘së mirës së madhe’. Prandaj, pavarësisht taborit politik, vota e mbrëmshme në Kuvendin e Republikës nuk duhet ta gëzojë askënd. Sepse nuk është fitore për askënd. Meqë ia nënvendos parimin e demokracisë interesit të dialogut.

Është e qartë se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë. Është në interes të Kosovës. Dhe është e qartë se fundi i vetëm i tij duhet të jetë njohja e Republikës së Kosovës nga Serbia si parakusht i marrëdhënieve të mira fqinjësore e bashkëpunimit rajonal. Por ky dialog dhe ajo marrëveshje në asnjë mënyrë nuk mund të imponohet. Dhe në asnjë mënyrë nuk bën ta përjashtojë demokracinë, pjesëmarrjen e transparencën nga procesi. Po, forma në këtë rast, është shumë e rëndësishme krahas përmbajtjes. Dhe këtë nuk mund ta arrijë askush vetëm. Nuk ka magjistarë e as shkop magjik në politikë, që i vetëm i bën ballë sfidave të tilla. Nuk është Hashimi. Nuk është as Albini. Prandaj duhet bërë bashkë. Të gjitha forcat politike. Të përgatiten bashkë. Dhe ta kemi të qartë si shtet se çfarë po duam të arrijmë në këtë dialog dhe si do ta arrijmë atë.

Fundi i dialogut me Serbinë e hap një perspektivë plotësisht të re politike në Kosovë. E mundëson tokëzimin e politikës. Nga arenë religjioze e përplasjesh mes ‘të mirës dhe të ligës’ (tradhëtarëve e patriotëve, të ndershmëve e të shiturve), në hapësirë demokratike të pjesëmarrjes, e të ballafaqimit të ideve e interesave shtresore drejt balansit të vullnetit e interesit të përgjithshëm. Arritja në këtë pikë do të ishte fitore e vërtetë”.