Grenell: Kurti më shikoi drejt në sy dhe më tha se do ta heqë taksën
Emisari i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi, Richard Grenell ka zbuluar detaje të bisedave me Kryeministrin në dorëheqje Albin Kurtin duke thënë se ai i kishte premtuar heqje të taksës.
“Ai më shikoi në sy dhe tha se ata do ta largojnë taksën” ka thënë Grenell. Sipas tij, është qëndrim i Shtetet e Bashkuara se “taksa prej 100 për qind që është zbatuar para z.Kurti dhe ka qenë duke i dëmtuar ekonominë dhe popullin e Kosovës më së shumti”.
“Prandaj, për ne nuk ka kuptim që të ketë politika që janë duke e dëmtuar ekonominë, që nuk i lejojnë bizneset të lëvizin përpara dhe të krijojnë vende pune. Kjo i prek të rinjtë që duan vende pune dhe kur politikat e dëmtojnë vetë ekonominë, nuk duhet të pritet nga ne, Shtetet e Bashkuara, që të vazhdojmë t’i përkrahim politikat që janë duke i dëmtuar njerëzit dhe aktivitetin e krijimit të vendeve të punës” ka shtuar Grenell në T7.
Emisari amerikan ka thënë se ekonomia amerikane, nën udhëheqjen e Trumpit ka qenë e mahnitshme dhe se pikërisht për Kosovën e Serbinë Trump i kishte kërkuar atij që të ndihmojë për të krijuar hapa nxitës ekonomikë dhe një atmosferë pro-biznesore në mënyrë që të rinjtë të gjejnë vende pune.
Grenell ka thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë bashkëpunimi dypalësh.
“ Duam që të largohet taksa në mënyrë që të vazhdojnë bashkëpunimi dhe puna jonë dypalëshe” ka thënë ai.
Grenell ka thënë se SHBA beson se taksa ishte duke e dëmtuar popullin e Kosovës.
“ Ne besojmë se taksa duhet të largohet pa mëdyshje dhe menjëherë, sepse po e lëndonte popullin e Kosovës. Nuk është duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik, që është qëllimi ynë, prandaj ne ishim duke u siguruar që të gjitha agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara do ta përkrahnin atë politikë” ka theksuar Grenell.























