Behramaj: Kurti uzurpoi Qeverinë me largimin e njerëzve kryesorë të LDK-së
Këshilltarët e presidentit vazhdojnë ta akuzojnë qeverinë dhe Albin Kurtin për uzurpim të ekzekutivit.
Adil Behramaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri i shkarkuar Albin Kurti, ashtu siç po mundohet t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit dhe Presidentit, Kurti me largimin e njerëzve kryesorë të LDK-së e kishte uzurpuar edhe Qeverinë, duke e kthyer në Qeveri njëpartiake.
Postimi i plotë i Behramajt:
Edhe përbërja aktuale e Qeverisë së shkarkuar është falsifikim i vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit. Ashtu siç po mundohet t’i uzurpojë kompetencat e Kuvendit dhe Presidentit, Kurti me largimin e njerëzve kryesorë të LDK-së e kishte uzurpuar edhe Qeverinë, duke e kthyer në Qeveri njëpartiake. Në një shtet me demokraci parlamentare, ai po tenton ta instalojë monizmin me vetëm 26.2% të votave. Në anën tjetër, përkundër që është shkarkuar me votat e 2/3 të deputetëve, ai as që po e pranon këtë vullnet të përfaqësuesve të popullit. Pra, Kurti po pretendon të qëndrojë në krye të Qeverisë, duke e refuzuar çdo procedurë të paraparë kushtetuese dhe ligjore për emërimin e një Qeverie të re.























