Marrëveshja Kosovë-Serbi, do të shkatërronte kartën diplomatike ruse
BKT
Lajme

Marrëveshja Kosovë-Serbi, do të shkatërronte kartën diplomatike ruse

Në një artikull për agjencinë e lajmeve ruse “Regnum”, profesori serb i Universitetit Paralel të Mitrovicës Veriore, Dejan Miroviç, thotë se në qoftë se nënshkruhet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara, Serbia njëkohësisht do ta bëjë edhe njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovë dhe si i tillë, do të anulohet edhe Rezoluta 1244, dokument ky që sipas profesorit “garanton sovranitetin e Serbisë” i cili me fanatizëm mbrohet nga Rusia.

Prof. Miroviç, tutje shton se “Rusia ka punuar shumë duke ndihmuar Serbinë në raport me Kosovën, duke filluar nga kundërshtimi i pranimit të Kosovës në INTERPOL, UNESCO dhe duke ndihmuar Serbinë në tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga disa vende afrikane, aziatike dhe të Amerikës Latine”. Andaj, sipas tij, “nënshkrimi i një marrëveshje të tillë do ta shkatërronte kartën kryesore diplomatike ruse në Ballkan dhe do ta dëmtonte prestigjin ndërkombëtar të Rusisë”.

Miroviç, gjithashtu ka treguar urrejtje ndaj disa ekspertëve të pavarur rusë, të cilët sipas tij po e mbështesin një marrëveshje të tillë. Ai madje thotë se si profesor i të drejtës ndërkombëtare, “më habitë fakti se si qytetarët rusë po mbrojnë shkeljen e kushtetutës së Serbisë”, duke pyetur ata se çfarë do të bënin ata si ekspertë rusë në qoftë se një gjë e tillë do të bëhej në vendin e tyre, Rusinë.

 


MË SHUME NGA Lajme