Vdekja tragjike e të riut nga Gjilani, vjen reagimi i Haradinajt
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes tragjike së një të riu sot në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, pasi ky i fundit në rrethana ende të panjohura ka kërcyer nga kati i pestë i objektit.
Haradinaj në një postim në Facebook ka shprehur tronditjen e tij në lidhje me vdekjen tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani, duke përkujtuar se me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së tij për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim.
“Përkundër të gjithave, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin, pikërisht në këtë kohë kur të gjithë jemi vënë në alarm dhe gatishmëri, që asnjë jetë të mos humbet nga papërgjegjshmëria”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, ndërsa ka bërë thirrje që ky rast të zbardhet sa më shpejtë që të jetë e mundur.























