Vitia për vdekjen e 26 vjeçarit: Të mos paragjykohet ky rast
I riu nga Gjilani që ndërroi jetë pasditen e së dielës pasi kishte kërcyer në rrethana ende të panjohura nga kati i katërt i konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, nuk kishte paraqitur asnjë dokument që dëshmonte për ndonjë problem shëndetësor.
Këtë e tha në konferencë për media Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ku citoi edhe raportin nga mjeku në hyrje në Aeroportin e Prishtinës në të cilën i ndjeri ka mohuar të ketë ndonjë sëmundje tjetër.
Bardiqi: I ndjeri nuk ka paraqitur ndonjë sëmundje
“Në raportin të cilin e ka kontrolluar ekipi shëndetësor në hyrje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës të gjitha pyetjet gjatë të dhënëve nga i ndjeri janë mohuar d.m.th nuk ka pasur asnjë shënim për asnjë sëmundje nga mjeku i cili e ka kontrolluar të ndjerin”, tha Bardiqi.
Sipas rekomandimeve të IKSHPK, vetëm disa kategori e personave dërgohen në vetëizolim në shtëpitë e tyre dhe jo në Qendrën e Studentëve e cila po shërben si karantinë.
Bardiqi shpjegoi se sipas rekomandimeve të IKSHPK -së për vetëizolim 14 ditë të personave që paraqiten në pikat kufitare me rekomandim të ekipit mjekësor në kufi, në bazë të dokumentacionit mjekësor të këtyre personave rekomandohen: Personat me probleme shëndetësore duke përfshirë edhe sëmundjet kronike; Personat e moshës mbi 70 vjeç; Fëmijët nën 18 vjeç që janë pa shoqërim të prindërve si dhe profesionistët që do të jenë në shërbim të parandalimit dhe luftimit të COVID-19 si mjekët, policët dhe pjesëtarët e FSK-së.
Bardiqi: Nuk kemi pasur dokument për ndonjë sëmundje të të ndjerit
“Është një procedurë standarde administrative e cila realizohet për të liruar personat që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe ato organizohen me mënyra administrative ku ekipet shëndetësore të një specialistike përkatëse thirren nga SHSKUK, të njëjtit vijnë dhe bëjnë ekzaminime të pacientëve, dhe me atë të njëjtit konstatojnë se kemi të bëjmë me një sëmundje atëherë me rekomandimin e IKSHPK dhe ekipet ose mjekut specialist të njësisë përkatëse vijnë në ministri dhe me atë ministri nxjerr vendim. Sa i përket të ndjerit, nuk kemi pasur as edhe të vetmin dokument i cili do të vërtetonte për ndonjë sëmundje të tij”, deklaroi Bardiqi.
Ndërsa, vet ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se si institucion, nuk mund t’i lejojnë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit.
Ai u zotua se nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale.
Po ashtu, ministri ftoi Prokurorinë të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit.
Vitia: Do të zbardhet në detaje çdo e dhënë që lidhet me rastin
“Do të zbardhet në detaje çdo e dhënë që lidhet me rastin. Prej aranzhimit të udhëtimit nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në Aeroport dhe shoqërimit në Qendrën e Studentëve. Pra, duke filluar prej Ambasadës së Kosovës në Berlin e deri te stafi administrues i Qendrës së Studentëve. Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit. Çdo supozim i parakohshëm që ne mund të bëjmë tani, do të ishte mungesë përgjegjësie, do të ishte shtim i dhimbjes për familjen”, deklaroi Vitia.
Vitia u shpreh se kishte menduar edhe dorëheqjen, por tashmë si ministër ka përgjegjësinë që të zbardhë të gjithë rastin. Po ashtu, ai shprehu edhe ngushëllime familjes për vdekjen e 26-vjeçarit.























