Idrizi për rastin e 26-vjeçarit: Përgjegjësisë s’mund t’i ikë askush
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar sot lidhur me rastin e vetëvrasjes së 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve.
Anëtarja e këtij komisioni nga PDK-ja, Valdete Idrizi, tha se si komision po kërkojnë llogari lidhur me këtë rast.
“Secili prej neve anëtarëve të këtij komisioni përveç që i shprehim shqetësimet tona dhe atë neglizhencën që e ka pasur institucioni përgjegjës Ministria e Shëndetësisë. Po kërkojmë do të thotë llogari, sepse dorëheqja është akt moral, le të jetë në ndërgjegjen e personave. Por, në anën tjetër përgjegjësisë nuk mund t’i ikë asnjëri”, tha ajo.
Idrizi tha se i gjithë komisioni e ka mbështetur inicimin e PDK-së për krijimin e një komisioni hetimor për rastin e 26-vjeçarit, që ka vdekur duke u hedhur nga kati i 4-të në Qendrën e Studentëve.
“Asnjë anëtar i këtij komisioni nuk e ka kontestuar edhe faktikisht u deklaruan që do të bashkëpunojnë me çfarëdo nisme që merret për të hetuar, të gjithë pa dallim. Përveç koleges nga veriu që mungonte të gjithë ishim prezentë dhe gjithë njëzëri e kemi shprehur edhe shqetësimin edhe interesimin edhe vullnetin dhe kontributin që mundet me dhanë si komision për të ndihmuar në hetimin sa më të shpejtë të këtij rasti”, tha ajo.
Ajo tha se është shqetësues trajtimi jo i barabartë i njerëzve për t’u futur në karantinë ose jo.
Do të shkojnë të vizitojnë Qendrën e Studentëve, aeroportin, pikat kufitare.
Ajo bëri të ditur se në këtë mbledhje të komisionit është trajtuar edhe vendimi i Qeverisë për t’i ndarë 10 mijë euro për pagesën e rrymës për qytetarët e veriut të Kosovës.























